Loading...

Konfirmohet për deputet nga PD-ja Andi Lila

U votua në listën e kandidatëve për deputet në Degën e PD-së Kavajë, Andi Lila: Faleminderit që më konfirmuat, vetëm të bashkuar do ta fitojmë betejën e 25 prillit

Ish-kapiteni dhe mbrojtësi i Kombëtares sonë, Andi Lila ka hedhur një hap të rëndësishëm në karrierën politike.

Partia Demokratike ditën e djeshme ka mbajtur votimet në qarkun e Tiranës, ku anëtarësia ka votuar për kandidatët që do të vijojnë në fazën tjetër të procesit për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë.

Në Kavajë, mes emrave të kandidatëve për deputetë ishte edhe emri i futbollistit të njohur, Andi Lila.

Pas votimeve Lila ka kaluar fazën e parë dhe ka bërë një postim në rrjetet sociale, teksa ka falenderuar të gjithë atë që e votuan në Degën e Partisë Demokratike, Kavajë.

“Sot u votua për listën e kandidatëve për deputetë në Degën e Partisë Demokratike Kavajë. Me këtë rast, i falënderoj të gjithë demokratet e Kavajës, jo vetëm, për konfirmimin tim për të vijuar këtë garë, po për konfirmimin e të gjithë listës pasi vetëm të bashkuar do ta fitojmë betejën e 25 prillit,” shkroi Andi Lila.

Ai beson se do të kalojë edhe fazën e përzgjedhjes në seli dhe do të kandidojë për deputet, për të qenë pjesë e Kuvendit të Shqipërisë, pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

/NOA.al

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com