Presidenti Ilir Meta sfidon në përballje televizive, Kryeministrin Edi Rama, duke i kërkuar të ballafaqohen, ose në të kundërt të largohet.
“Sapo i kam konfirmuar z.Blendi Fevziu gatishmërinë time për të dalë në ‘Opinion’ me Kryeministrin në detyrë, i cili mund të marrë edhe përforcime me vete. Transparenca e vetmja rrugë! Dil në përballje ose largohu!”, shkruan Meta.
Më herët Rama i tha, “Ilir çfarë borxhi të ka Shqipëria që të bëri kryeministër, kryeparlamentar, President dhe duhet të durojë shkallimet e tua të përditshme, që sekëlldisin jo veç të gjallët po edhe të rënët për liri të këtij vendi, të cilëve u je qepur me dekoratat e me fjalimet e tua qesharake!”
Replikat në distancë nisën pasi Meta në një mesazh drejtuar socialistëve tha se Rama e akuzon se ka takuar skutave subjekte të OFL, ndaj i kërkoi publikisht që të bëjë publik emrin, skutën dhe orën kur e ka takuar këtë personazh të botës së krimit dhe atëherë do të japë menjëherë dorëheqjen.