PS ka gjetur një strategji të re para zgjedhjeve. Para mandatit të tretë, kjo forcë politike po përfshin më shumë artistë në gjirin e saj. Por edhe vajza dhe gra të bukura, si duket për të zbukuruar imazhin e saj.
Pas Land Hysit, Vikena Kamenicës, Monika Lubonjës, Arjola Demirit, Gaz Pajës, Alketa Vejsiut, edhe Valbona Selimllari ka vendosur zyrtarisht që të bëhet pjesën e familjes socialiste.
Po ashtu edhe Eneda Tarifa dhe Anxhela Peristeri janë bërë më herët pjesë e fushatës së PS dhe njihen gjerësisht si simpatizante të kësaj force politike.
Artistët në fjalë po tentojnë të tërheqin pas vetes dhe rrjedhimisht pas PS-së dhe kolegë të tyre.
Teksa shoqëroi kryebashkiakun Veliaj në Zall-Bastar, Selimllari e shpjegoi mbështetjen për të majtën me një thënie të vjetër përmetare: “Tek Partia Socialiste jam sepse ne kemi një thënie nga Përmeti. Unë jam përmetare me origjinë dhe themi: Ai djali dhe ajo vajza po janë punëmbaruar dhe kjo fjalë më ka mbetur gjithmonë në mendje se ma thoshte gjyshi dhe nëna:
“Punëmbaruari është gjithmonë i suksesshëm” dhe në fakt unë jam me punëmbaruarit, sepse për hir të së vërtetës nuk kemi kohë të humbim me ata që s’mbarojnë punë”.
Valbona Selimllari ka takuar së fundmi disa nga personazhët e botës së artit, edhe këngëtaren Eranda Libohova, apo Kejsi Tola. Disa muaj para zgjedhjeve PS-së ka ndezur “motorët”, duke vënë në lëvizje figura të njohura të artit dhe ekranit, teksa është parë që krah tyre të jetë vazhdimisht edhe kryebashkiaku Erion Veliaj.
Edhe Noizy, i promovuar gjerësisht nga Veliaj, nuk përjashtohet si mundësi, që t’i bashkohet fushatës së PS-së.
/NOA.al
