Një punonjës policie është arr estuar nga kolegët e tij në një operacion kundër kultivimit të lëndëve narkotike.
Ai është E. D., punonjës policie (SPZ), i dyshuar për veprat penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Kultivim i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.
Mësohet se ai dekonspironte operacionet policore kundër kultivimit të bimëve narkotike, në fshatin Mner i Sipërm, Njësia Administrative Zall Bastar.
Në kuadër të këtij operacioni janë arrestuar edhe tre persona të tjerë, Q. Xh., I. B., dhe B. M., të dyshuar për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.
Ndërkaq u arrestuan në flagrancë shtetasit A. B., dhe A. B., të dyshuar për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu, në vijim të operacionit u shpallën në kërkim tre shtetas S. H., D. H dhe G. H., të dyshuar për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.
Po ashtu u procedua penalisht, për veprën penale “Përkrahje e autorit të krimit”, shtetasi H. M., pasi ka ndihmuar për ikjen e njërit prej autorëve, gjatë kohës që forcat e Policisë po punonin për kapjen e tij.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në fshatin Mner i Sipërm, Njësia Administrative Zall Bastar, Tiranë, dyshohet se kanë kultivuar bimë narkotike të llojit cannabis sativa, të cilat janë asgjësuar në periudha të ndryshme nga Seksioni i Narkotikëve dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4. /noa.al/