Nga Interpol Tirana u bë ekstradimi nga Greqia drejt vendit tonë, i shtetases shqiptare Aurela Doksani, 43 vjeçe, lindur në Fier.
Doksani ishte e shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet tona të drejtësisë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, e ka dënuar me 6 vjet e 8 muaj burg, për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i narkotikëve”.
Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur:
Nga hetimet është provuar se kjo shtetase, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka tentuar të trafikojë drejt Greqisë, në rrugë tokësore, lëndë narkotike të llojit heroinë.
Në momentin e arrestimit, më datë 08.08.2011, i është gjetur dhe sekuestruar sasia prej 129.3 gramë lënde narkotike.
Më datë 12.08.2011, Gjykata ka vendosur ndaj saj masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”. Në zbatim të vendimit të Gjykatës, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, më datë 11.04.2012, ka nxjerrë urdhër për ekzekutimin e vendimit të mësipërm ndaj të dënuarës, për të vuajtur pjesën e dënimit të mbetur pas datës 09.04.2012 (1184 ditë burgim), në burg të sigurisë së zakonshme.
E dënuara nuk është gjetur në banesë dhe në këto kushte është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK INTERPOL Tirana, sipas kërkesës së Prokurorisë për Krimet e Rënda.
Sajë shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Athinës, më datë 28.04.2020 shtetasja Aurela Doksani është arrestuar nga autoritetet policore në Greqi, me qellim ekstradimin drejt Shqipërisë.