Kryeministri Edi Rama thotë se do të largohet nga politika nëse shqiptarët nuk e votojnë më në 25 prill 2021. Në këtë mënyrë Rama bëhet pasardhës i Fatos Nanos në PS, i cili po ashtu paralajmëroi dhe zbatoi pohimin e ikjes nga politika në rast humbjeje, gjë që ndodhi në vitin 2005.
Rama foli sot para socialistëve duke u shprehur se zgjedhjet e ardhshme do të fitohen sërish nga PS-ja.
Por në rast se shqiptarët nuk e besojnë për një mandat të tretë në krye të qeverisë, ai do të largohet nga politika, siç tha, me shumë mirënjohje për këto vite që ka qenë në krye të punëve të vendit.
“Ditën që mua shqiptarët nuk do të më votojnë më për të qenë kryeministër, do t’iu jap një përqafim të madh, dhe do t’iu lë vendin të tjerëve. Do t’iu shpreh të gjithëve mirënjohjen për mbështetjen që më kanë dhënë në gjithë këto kohë”, u shpreh Rama para gazetarëve.
Ai shtoi se në çdo qark që do të vendoste veten në listë do të merrte më shumë vota, dhe se në fakt listat e hapura e bëjnë të padrejtë garën mes kandidatëve, e veçanërisht atyre që duan të hyjnë rishtaz në politikë.
Rama shtoi se nesër në Kuvend do të kalojë ligji zgjedhor, pavarësisht pretendimeve kundër të PD-së dhe të LSI-së si dhe një pjese të opozitës parlamentare.
Është hera e parë që Edi Rama paralajmëron largimin nga politika në rast humbjeje. Disa analistë thonë se deklarata të tilla mund të ndikojnë në elektoratin e majtë.
/NOA.al