Me rastin e ditës botërore të të moshuarve, Presidenti Ilir Meta shpreh mirënjohje, respekt dhe vlerësim ndaj tyre, ku thotë se kanë dhënë shumë për përparimin dhe begatinë e familjeve dhe atdheut tonë.
Kreu i shtetit ngre shqetësim se pavarësisht kontributeve dhe sakrificave të jashtëzakonshme në këtë drejtim, Dita Botërore e të Moshuarve, e gjen sot këtë kategori të margjinalizuar, në gjendje tejet të rënduar, pothuajse të braktisur nga shteti dhe të shkëputur nga fëmijët e larguar masivisht në emigrim.
Sipas tij, trajtimi me pensione të ulëta dhe indeksimet minimale, e bëjnë ende të papërballueshme jetesën e tyre në raport me çmimet e tregut dhe kostot e jetesës ndër më të lartat në rajon, aq sa të ardhurat mujore, nuk ju mjaftojnë as për të paguar ilaçet, energjinë elektrike dhe ujin.
“Me nivelin më të lartë të sëmundshmërisë, trajtimi i tyre shëndetësor nga institucionet shtetërore në raport me të ardhurat dhe nevojat që ka kjo kategori, është thuajse i papërfillshëm. Braktisja, vijon të jetë gjithashtu një plagë e rëndë. Vetmia që përjeton kjo kategori prej shpopullimit, dramës së madhe të popullit tonë dhe familjes shqiptare në vitet e fundit, është e papranueshme dhe kërkon një zgjidhje të menjëhershme duke rikthyer shpresën në radhë të parë për fëmijët e tyre për të ndërtuar të ardhmen në vendin tonë dhe pranë familjeve”, shkruan Meta.
Presidenti kërkon rritje të ndjeshme dhe të menjëhershme të pensioneve, ndihmë ekonomike të prekshme për përballimin e kostove të medikamenteve, energjisë elektrike dhe ujit dhe trajtim të veçantë shëndetësor e social, si disa nga masat efektive që meritojnë adresim të menjëhershëm.
Meta thotë se është koha për të kthyer në veprim shërbimin me përulje dhe vlerësimin e merituar ndaj tyre, jo vetëm me mbulimin e pagesës për blerjen e gjelit për Vit të Ri, por nëpërmjet masave konkrete që ofrojnë zgjidhje të qëndrueshme, solidaritet dhe përkrahje. /a.y/noa.al