Naftëtarët e Ballshit kanë hyrë në ditën e katërt të grevës së urisë. Me kalimin e ditëve gjendja e tyre po rëndohet dhe kjo reflektohet në shëndet.
Sokol Dautaj, kreu i sindikatës së naftëtarëve deklaroi se po ushqehen vetëm me ujë dhe sheqer.
Grevistët thonë se nuk heqin dorë nga greva pasi janë të mbytur në borxhe.
“Kjo uzinë është bërë me forcat e prindërve tanë me gjakun e tyre, dhe vijnë hajdutë nga jashtë dhe bashkëpunojnë me këta tanët dhe na lënë në rrugë. Është gjynah që ti lësh këta njerëz kështu pa një ndihmë pa asnjë gjë, shokët kanë filluar që të kenë probleme me shëndetin, dhimbje koke, tension, marrje mendsh. Nuk kemi rrugë tjetër, duam djersën tonë. Nuk duam as luks dhe as lëmoshë, duam djersën ton”, tha njëri prej tyre.
Naftëtarët pretendojnë se kanë disa muaj, deri në mbi një vit rroga pa marrë, duke thënë se kanë mbetur në mes të rrugës dhe puna është ndërprerë dhe se pavarësisht protesës në Tiranë, askush nuk i priti. /a.y/noa.al