U duk e pabesueshme për familjarët, por jo vetëm edhe për publikun, kur në janar të këtij viti në një studio televizive u dha lajmi para prindërve për gjetjen e Teuta Rrahmanit, e zh dukur për 22 vite.
Prindërit e saj të ftuar në emisionin “Pa Gjurmë” në Report TV, mësuan lajmin e shumëpritur për gjetjen e Teuta Rrahmanit, që u zhduk në vitin 1998, nga Tirana.
Nëntë muaj më parë, Teuta vendosi të rilidhte kontaktet me familjarët, kur përmes një telefonate ‘live’ përcolli emocione të papërshkrueshme.
Prindërit nuk pritën gjatë, Milazim dhe Gëzime udhëtuan nga Shqipëria drejt Holandës për t’u takuar me të bijën. Lajmi për gjetjen e vajzës nga Kukësi, që u zhduk 14 vjeçe, u duk gati i pabesueshëm.
’Pa gjurmë’ shfaqi për herë të parë fotot, nga ky takim i përmallueshëm që nga pritja në aeroport e deri tek qëndrimi i gjatë i prindërve me vajzën, sot një 36-vjeçare.
Ata u pritën në shtëpinë ku Teuta jeton me bashkëshortin, një shtetas holandez dhe dy fëmijët e saj. E ftuar në studio, e ëma përcolli emocionet e përjetuara dhe të ndjera, në bisedat e gjata të bëra nënë e bij. Ajo tha se edhe Teuta kishte 5 vite që i kërkonte, por nuk kishte mundur t’i gjente pasi nuk mbante mend mbiemrin e saj.
“Ajo ishte munduar nëpër rrjetet sociale, por kishte harruar mbiemrin e saj, nuk mbante mend asgjë, ndaj nuk na gjente dot”.
“Madje kishte harruar edhe gjuhën. Nga ana tjetër, ajo ishte munduar për 5 vite më radhë të na kërkonte, kishte bërë çdo përpjekje, ishte përpjekur shumë të kujtohej, por kishte humbur çdo kontakt me Shqipërinë, prej 22 vitesh. Më premtoi se në Shqipëri do të vij shumë shpejt’, – rrëfeu e ëma.
Takimi i prindërve me të bijën zbardhi çdo të vërtetë për këtë mungesë të gjatë të Teutës, detaje të cilat nëna nuk dëshiroi t’i bënte publike.
“U nisëm me bashkëshortin dhe djalin dhe qëndruam një javë atje. U takuam me Teutën. Kontaktet me Shqipërinë i kishte humbur plotësisht. Ne folëm shumë gjatë si nënë e bij’, – rrëfeu e ëma e saj.
E fejuar kur ishte ende një e mitur, Teuta Rrahmani u zhduk nga banesa e xhaxhait të saj në Tiranë, kur doli herët në mëngjes dhe nga ajo ditë do të kalonin plot 22 vite pa asnjë kontakt me familjen.
Familja dyshoi në gjithë këto vite se Teuta u rrëmbye nga një djalë nga Tropoja. Familja ka tërhequr çdo lloj denoncimi të bërë për Teutën, duke thënë se e rëndësishme është që gjetën vajzën të gjallë.
/NOA.al