Gjykata e Lartë pranon rekursin e bërë nga ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe regjistron dosjen për rishqyrtimin e çështjes.
Ky regjistrim vjen pasi Tahiri ankimoi vendimin e Apelit të dhënë më 26 qershor, ku çështja në ngarkim të ish-ministrit u kthye për rishqyrtim, teksa ky i fundit kërkon pushimin e çështjes dhe prishjen e vendimit.
Ilir Panda do të jetë relatori i çështjes e cila tashmë do të shqyrtohet në Gjykatën e Lartë.
Ankimimi u bë nga ish-ministri dhe i pandehuri tjetër Jaeld Çela, që të dy të akuzuar për “shpërdorim detyre”.
Saimir Tahiri është akuzuar si i dyshuar për lidhje me grupin “Habilaj” që merrej me trafik droge drejt Italisë dhe se i krijonte lehtësi grupit në aktivitetin kriminal.
Ish-ministri u shpall fajtor dhe u dënua në shkallën e parë, vetëm për shpërdorim detyre me 3 vite e 4 muaj shërbim prove, duke u akuzuar se nuk kishte marrë masa për parandalimin e kanabizimit të vendit dhe nën akuzën e përfshirjes së efektivëve të policisë në këtë aktivitet kriminal.
Mirëpo ky vendim u rrëzua në Apel, duke e rikthyer dosjen për rishqyrtim nga e para. /noa.al