Presidenti Ilir Meta përshëndet zyrtarizimin e propozimeve të Opozitës së Bashkuar në Këshillin Politik gjatë së dielës.
Ai thotë se opozita është e vendosur për të ndërtuar konsensus në të kundërt të Rilindjes, që kërkon me insistim konfliktin, shtrembërimin e zgjedhjeve dhe asgjësimin e Këshillit Politik si instrument vendimarrës konsensual.
“Drafti i paraqitur nga Opozita realizon hapjen e listave 100% dhe respektimin e plotë të barazisë gjinore, përkundrejt mashtrimit dhe mbylljes 100% të listave nga Rilindja. Drafti i opozitës respekton konsensusin e arritur dhe Marrëveshjen e 5 Qershorit. Drafti i Opozitës kërkon opinionin e ODIHR për çështjet që nuk ka dakordësi, si një palë e paanshme dhe si vëzhguesit zyrtarë të zgjedhjeve”, shkruan Meta.
Sipas tij, opozita ka ndërmarrë çdo hap, që çon përpara procesin e integrimit europian të Shqipërisë ku reforma zgjedhore, zbatimi i saj dhe hetimi i krimit elektoral janë kushtet kyç që përcaktojnë hapjen e negociatave për anëtarësim.
Kreu i shtetit deklaron se çdo akt i njëanshëm që përmbys marrëveshjen e 5 Qershorit do të ishte një atentat dhe provokim i patolerueshëm dhe i paamnistueshëm ndaj rendit kushtetues e demokratik dhe së ardhmes europiane të vendit.
“Koha për reflektim!”, thotë në mbyllje Presidenti Meta.