Loading...

Java e Biodiversitetit/ Blegtorët orientohen drejt mbarështimit të dhisë ‘Kuqja e Matit’, racë tipike lokale

Dhia “Kuqja e Matit” është një nga shumë burimet gjenetike autoktone të vendit tonë. Ajo e ka origjinën nga zonat e bashkisë Klos, qarku i Dibrës.
Kuqja e Matit është një racë tipike lokale për rajonin e Matit për shkak të adaptimit dhe performancës së saj të mirë me relievin, kushtet gjeografike e klimatike si dhe bimësinë që e karakterizon këtë zonë.

Kuqja e Matit është menaxhuar historikisht nga fermerët në zonë, duke transferuar traditën dhe njohuritë e tyre nga një brez në tjetrin.
Kjo racë është e adaptuar më së miri dhe është gjithashtu rezistente ndaj sëmundjeve dhe parazitëve. Në veçanti, me ngrohjen globale, adaptimi dhe rezistenca e kësaj race në kushte më të ngrohta është mbresëlënëse.
Një tjetër vlerë e shtuar e kësaj race, është dhe përmbajtja në nivel mjaft të kënaqshme e yndyrës dhe proteinës të cilat variojnë 3.28% deri 3.71% proteinë dhe 2.6% deri në 6.18% yndyrë.
Blegtorët e kësaj zone, vitet e fundit me mbështetjen financiare të qeverisë përmes Skemës Kombëtare, po orientohen në ruajtjen dhe zhvillimin e tufave të dhisë së racës “Kuqja e Matit”, prodhimi i qumështit dhe nënprodukteve të saj janë mjaft të kërkuara nga tregu dhe konsumatorët.
Në kuadër të projektit PNUD “Forcimi i burimeve njerëzore, kuadrit ligjor dhe kapaciteteve institucionale për zbatimin e Protokollit të Nagojës”, i mbështetur nga GEF (Global Environment Facility) në bashkëpunim me Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, si dhe me qëllim ruajtjen e biodiversitetit dhe vlerave gjenetike autoktone, Shoqata Kombëtare e Blegtorëve Shqiptarë (LEAA) ka realizuar projektin ”Identifikimi dhe sjellja në vëmendje të publikut dhe politikëbërësve te Vlerave të Dhisë “Kuqja e Matit”.
Valbona Ylli, drejtoreshë e projektit LEAA, shprehet se projekti synon të mbrojë këtë racë autoktone që është në rrezikun e saj të zhdukjes apo dhe të problematikave të tjera. Edhe pushteti lokal është mjaft i interesuar për mbrojtjen e dhisë “Kuqja e Matit”.
Kryetari i bashkisë Klos, Ilmi Hoxha, ka mirëpritur ndërhyrjen e projektit dhe në bashkëpunim me skemat e subvencionit siç tha ai, “krahas investimeve në infrastrukturë që po ndërmerr qeveria, synojmë të nxisim fermerët në shtimin e këtyre tufave me këtë racë dhe në promovimin e produkteve të bulmetit nga “Kuqja e Matit”. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com