Memorie.al publikon disa pjesë nga libri voluminoz autobiografik në dorshkrim “Tokë e bukur, njerëz të shëmtuar” (kujtime nga xhehnemi) me autor, Kasem Hoxha me origjinë nga fshati Markat i Sarandës dhe me banim në SHBA-ës që nga viti 1985, kur ai u arratis nga Shqipëria, pasi kishte vuajtur dhjetë vite në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës. E gjithë historia e trishtë dhe e dhimbëshme e Kaso Hoxhës, që nga jeta dhe puna e vështirë në fshatin e tij në skajin më jugor të vëndit, pakënaqësia ndaj regjimit dhe poezitë e para me karakter politik, si ranë ato në dorë të Sigurimit të Shtetit dhe kush ishin të afërmit e tij që e spiunuan, arrestimi në zyrën e Kryetarit të Këshillit Popullor të fshatit Markat, nga Sigurimi i Shtetit më 21 qershor të vitit 1973, hetuesia në Degën e Punëve të Brendëshme të Sarandës, gjyqi ndaj tij dhe dënimi me 10 vjet burg për “agjitacion e propagandë”, qëndrimi në “Kaushin” e Tiranës (Reparti 313), dhe të burgosurit që gjeti aty, dërgimi në Spaç e puna në atë kamp me policët e oficerët kriminelë dhe të “butë”, bashkëvuajtësit e përshkrimi i “portreteve” të tyre me anët pozitive dhe negative, lirimi nga burgu dhe kthimi në fshat, arratisja në Greqi dhe qëndrimi në kampin e Llavros-it, fitimi i azilit politik për në SHBA-ës, korrespodenca me organizatën Amnesty International, e degës së Londrës, informacionet me të dhënat që u dërgonte për të burgosurit e Spaçit dhe regjimit komunist në Shqipëri, e deri tek krijimi i familjes së re dhe jeta e puna në atë vënd të largët me komunitetin çam të përçarë nga intrigat e njerëzve të Sigurimit të Shtetit nga Shqipëria që vepronin atje.
Pjesë nga libri në dorshkrim, “Tokë e bukur, njerëz të shëmtuar”, (kujtime nga xhehnemi) i autorit, Kasem Hoxha, dërguar prej tij ekskluzivisht për Memorie.al
Prolog
Lexues të dashur!
Mos ja vini veshin titullit që po ju paraqes, dua të them, se sikur mos të jeni të duruar për të lexuar këtë përmbledhje me kujtime, po të doni ta falni autorin, se stili i tij është i zbehtë, i pafrymëzuar përpara kësaj drame të madhe, të popullit tim, të kombit tim martir.
Personazhet e mij, nuk janë të krijuar nga fantazia ime, por janë njerëz të vërtetë, janë vëllezërit tuaj, baballarët tuaj, të afërmit tuaj. Ngjarjet nuk janë të trilluara, por reale e të jetuara.
Ju do të bindeni vetë, vetëm pasi të keni lexuar këtë përmbledhje me kujtime. Ju do gjeni diçka nga jeta juaj, diçka të vërtetë nga jeta e baballarëve tuaj, e nënave tuaja, e vëllezërve tuaj, se si vuajtën se si vdiqën.
Këtë përmbledhje kujtimesh, e shkrova për amanetin që më lanë shokët, që bota të mësojë të vërtetën, se si u torturuan, si vuajtën, si vdiqën, njerëz të pafajshëm, nëpër kampet dhe burgjet e xhelatit, Enver Hoxha!
Unë shkoj me shpresë se cilido lexues, shqiptar ose i huaj, nuk më mbetet hatëri, nga kritika, rrahja e mendimeve të kundërta, pasi është mënyra më e mirë për të gjetur të vërtetën. Titulli i librit, “Tokë e bukur, njerëz të shëmtuar”, do t’i zëmëroj lexuesit, por në fund, do arrij në konkluzion se kam të drejtë, ta quaj “Epokën 45-vjeçare të regjimit komunist satanik të Enver Hoxhës”: Të shëmtuar.
Unë, mjerisht, për fatin e keq që pata, pashë dhe jetova dramën e madhe që ndodhi përpara syve të mij. Nuk jam as poet dhe as gojtar, do më duhet punë e madhe që t’i shpëtoj gabimeve letrare në këtë libër historik, që mund të frymëzojë poetët dhe shkrimtarët e ardhshëm, mbi tragjedinë e kohës sonë, të kohës më të zëzë të kombit tim!
Zotërinj lexues, ju uroj të gjithëve të keni liri dhe paqe…!
Kaso Hoxha.
Llavrio, Greqi 1985
Vijon nga numri i kaluar
I lidhur këmbë e duar në shtyllën para burgut dhe i ngrirë nga të ftohtit!
Tek po më shikonin egërsirat ashtu të mbërthyer, qeshnin duke u zgërdhirë me ca dhëmbë të prishur e të nxirë që i neverisnin edhe më tepër dy fytyrat bastarde të tyre të shëmtuara sa s’thuhet!
Të ftohtit e akullt ma ngriu trupin dhe po më hynte në kockë, hunda po më këputej, veshët gjithashtu dhe duart e këmbët s’i ndjeja që i kisha më të mijat! Gjaku në duar ishte bllokuar dhe ato më ishin enjtur e më bënin miza miza, një dhimbje e padurueshme.
Sa i fortë është njeriu?! Shpiri s’del aq lehtë. I mblodha të gjitha forcat e mija fizike dhe e bëra zëmrën gur. I drejtova sytë nga qielli, ku veç yjeve në atë qiell të artë, asgjë tjetër nuk shihje! Ashtu i mbërthyer tek po ngrija dhe me dhëmbje në shpirt, i lutesha zotit të më jepte forcë për të bërë ballë këto vuajtje dhe tortura.
-“O Perëndi, kaq mëkate të rënda kam bërë në jetë?! Unë gjithnjë kam ruajtur besimin në forcën tënde, më ndihmo, me nxirr nga kthetrat e këtyre bishave”, lutesha me mëndje duke mos i hequr sytë nga qielli, i përqëndruar në mijra yje, në atë pafundësi gjithë zjarr. Orët më dukeshin sikur nuk lëviznin, më dukej se nuk do të gdhinte kurrë ajo natë e paharruar, ajo natë e vështirë që s’mund të më fshihet kurrë nga kujtesa. Në atë ëndërrim, humba ndjenjat dhe ashtu i lidhur, u vara pas shtyllës, vdekja është e ëmbël, nuk të dhëmb më asgjë!
Polici që dilte herë pas here dhe më shihte, kërkonte që t’i lutesha, të më zgjidhte dhe të pranoja të punoja në galeri, por unë nuk i jepja asnjë përgjigjie. Pranova vdekjen nën qiell, se sa vdekjen brenda në minierë! Në mëngjez, e pashë veten të shtrirë në baraken e policit, me duar dhe këmbë të lidhura, me një enë me ujë të ngrohtë. Barakën e ngrohte një sobë që bubëllinte nga zjarri. Ndjeva që zëmra filloi të më rrihte, ndjeva që gjaku filloi të qarkullojë në trupin e ngrirë, që më dhimbte aq shumë nga të ftohtit.
Ishte ora 6 e mëngjesit dhe të burgosurit kishin dalë të gjithë nga galeria, duke pritur urdhërin për të hyrë në burg.
-“Çohu maskara”, bërtiti polici. Më mirë kështu, apo të punosh”, vazhdoi ai. Nuk i ktheva fare përgjigjie, duke i vështruar ato fytyra bastarde me urrejtje. Shokët e punës më sollën rrobat dhe kur më panë që isha katandisur keq, erdhën të më ndihmonin që të hiqja kominoshet dhe të vishesha. I urrreja që të dy, jo që ishin shkaktarët e asaj torture, por se ata u bindeshin urdhërave dhe pranonin vdekjen pa kundërshtuar!
Kontrolli i imët i policëve, në të ftohtin akull!
I mblodha të gjitha forcat dhe u ngrita mbi këmbët e mpira që s’mund t’i komandoja dhe me vështirësi u vesha e dola nga baraka. Polici më lidhi përsëri me hekura në duar, por nuk i shtërngoi aq shumë! Të burgosurit u përgatitën për kontroll, përpara portës së burgut. Katër polic, i kontrollonin duke i futur duart në çdo pjesë të trupit, ku çizmet duhet t’i mbaje në dorë, bashkë me kapelen.
Të burgosurit prisnin më tepër se një orë këtë kontroll të zbathur mbi akull. Pasi mbaruan të gjithë, oficeri i rojes i numëronte sipas brigadave. Kur hynë të gjithë të burgosurit, polici më morri mua që më kishte lënë të lidhur larg të burgosurve. Më paraqiti te oficeri i rojes dhe i raportoi: “Shoku oficer i rojes, ky i dënuar s’do të punojë në minerë, më ka kundërshtuar dhe u bënte agjitacion shokëve që të mos punonin dhe ata”. Këto i tha gati pa marrë frymë, para oficerit.
Oficeri Jovan Andoni, më vuri re me vërejtje dhe m’u drejtua: “Ç’ke që nuk punon, ti je dhe djal i ri”, tha ai duke mbyllur bllokun e proces-verbalit.
-“Nuk punoj atje, ku nuk më lejon rregullorja e Sigurimit Teknik”, ja ktheva aty për aty. Formalisht Komanda fliste që të burgosurit të zbatonin rregulloren e Sigurimit Teknik.
-“Ashtu hëëë…, ke vendosur të mos punosh, merre nënoficer Gjini, dhe fute brenda, e din vetë, s’ke nevojë për instruksion”!
-“Si urdhëro shef”, u përgjigj i gëzuar polic Gjin M., një nga xhelatët më të mëdhenj të burgut të Spaçit, i cili më rrëmbeu nga krahu dhe duke më tërhequr zvarrë, kërciste dhëmbët si një egërsirë e uritur që sa ka hedhur përtokë viktimën e tij që ta shqyej!
-“Hëmmm, s’do të pnoj fytyra jote?! Palaço, të bën Gjin M., që të realizosh normën dhe të kërkosh përsëri punë. Nuk ke dëgjuar ti se kush është Gjin M.?! Të ngul si ma i miri në tokë, ftyr e keqe”, shfryu polic Gjini, deri sa më çoi afër birucave. Kur u afruam, më ndaloi dhe më tha të mos i hiqja këmbët zvarrë dhe në maj të gishtave, u afrua mbi zgarën e hekurave që mbulonte korridorin e birucave, duke mbajtur vesh se kush nga të burgosurit bisedonte brenda qelive!
Polic Gjin M., rrahu Pashk Pashkun nga Bërdica, pse qeshi…!
Pashk Pashku., një burrë nja 50 vjeç nga Bërdica e Shkodrës, i shkurtër, i tregonte një mesle, Dod Mirit, nga rrethi i Krujës.
-“Hauuu…, Pashk Pashku, më tregon dhe prralla…”, mënyra e të folurit e Gjin M., të bënte të qeshje edhe pse ishe në një gjëndje të tillë shpirtërore aq të dëshpëruar!
Polici hapi portën e hekurt të birucave dhe më dha urdhër të ç’vishesha, e hapi birucën nr. 2 ku ishte Pashuku. I dha urdhër të dilte në korridor, i cili ishte ujë e akull. Kërbaçin e zi e që e mbante në qaftë të dorës, e ngriti lart duke ja lëshuar me forcë në kokë, por Pashuku u shmang dhe ai e zuri në shpatull.
-“Barkas palaço, se po t’i rrep msteqet”, shfryu ai dhe Pashuku u shtri përtokë në ujë e në akull, ndërsa polic Gjini i hypi mbi kurriz dhe po e shtypte kufomën e atij plaku me gjithë forcën e tij! Pashukut i dhimbnin eshtrat dhe bërtiste nga dhimbja, por polici s’donte t’ja dinte! Të burgosurit e birucës nr. 4, qeshën me gjestet e atij idioti, që po linte nam!
Rregullorja se si duhet të silleshe në biruca!
-“Hauuu, kush qesh ktu, mor ftyra të kqia”, tha polic Gjini dhe hapi sportelin e derës.
-“Nuk qesh njeri këtu, komandant Gjini”, i’u përgjigj Fatbardh Frashëri, një i burgosur nga Tirana që kishte bërë dhjetë vjet burg.
Mirpo, Dullë Amerikani, siç i flisnim ne të burgosurit, nuk e mbante dot të qeshurën dhe qeshi në sy të polic Gjinit!
-“Hauu, ti qesh, ftyra keqe, ta rregulloj unë, mos ki galje”, dhe filloj me të…, duke na harruar mua dhe Pashukun që ishim në korridor.
-“Barkas, palaçhane”, ulëriu ai.
Dulla ishte frikacak dhe i’u lut që nuk do ta përsëriste më, por ai s’donte t’ja dinte dhe ju qep me çizme mbi kurriz, duke i dërmuar eshtrat. Si u kënaq, polici i dha urdhër që të çohej, por Dulla ishte i hallakatur.
-“Pse më shikon, palaçhane?! Fatbardh Frashëri, nuk e din rregulloren ky i dënuar”?!
-“Jo komandant Gjini, s’ka qenë ndonjëherë në biruca ky”, u përgjigj Bardhi.
-“Banja të qartë rregulloren të dënuarit”.
-“Si urdhëron, dëgjo Dullë: E ke rradhë të parë, duhet ta kesh parasysh se komandant Gjini, të bën atë që nuk ta pret mëndja”.
(Gjini e kishte qejf mburrjen dhe kënaqej pa masë, po t’i thoshe: “Je i vetmi polic me autoritet në 303-in”).
Në biruc ndalohet biseda, vetëm duhet të mendosh për fajin që ke bërë.
Kur hyn polici brenda, duhet të ngrihesh në këmbë me kokë të ulur, duke vështruar këmbvët e tua, gatitu.
Ndalohet çdo lloj loje.
Ndalohet të këndosh, ose të qash me zë.
Veprimet, duhet t’i kryesh me shpejtësi të madhe, sidomos kur është komandant Gjini.
Ndalohet t’u flashësh shokëve në birucat e tjera.
Këto janë mesadi unë, komandant Gjini”, tha Bardhi me një ironi, që ai nuk e kuptoi.
-“I ke të qarta, palaçhane, përsëriti edhe njëherë po deshe, se e merr vesh se kush është Gjin M.”, dhe doli nga biruca duke e mbyllur me forcë derën e birucës nr. 4.
-“Futu brenda ti palaçhane”, i bërtiti Pashukut që rrinte në këmbë, duke u dridhur nga të ftohtit që po i hynte në palcë.
-“Po ti, ftyr e keqe, akoma nuk je përgatit”, m’u drejtua mua që rrija në cep të korridorit të birucave.
-“Gati jam”, i thashë unë që kisha hequr trikon dhe një palo kapotë të grisur që i kisha hedhur në tokë. Polici më kontrolloi se mos kisha gjë të ndaluar, ose rroba të tepërta. Në birucë, të lejonin vetëm një palë pantallona doku, një këmishë dhe xhaketën e verës. Në orën 9 të darkës, të jepej një batanije e vjetër.
Izolimi në Birucën nr. 1, ku gjeta Aristotelin nga Derviçani
Polici hapi birucën nr. 1 dhe duke më rënë më kërbaçin e zi, më shtyu brenda. Brenda më priste Aristoteli në këmbë që dridhej nga të ftohtit. I dhashë dorën dhe bëmë toka pa folur, se polic Gjini ishte te dera duke e mbyllur me dryn. Kur u largua e pyeta se sa e kishin dënuar me rregullore në qeli, më tha se për një muaj. Por ky ishte muaji i katërt që po bënte në birucë.
U ulëm dhe me zë të ulët bisedonim, ndërsa ftohtësira më rrethonte nga të gjitha anët, bashkë me errësirën. Qelia ishte dy metra e gjatë dhe një metër e dyzet, e gjerë. Ajo ishte një frigorifer i vërtetë dhe orët nuk kalonin aq lehtë në kushte të tilla, me një vuajtje dhe një torturë aq e madhe si ajo e të ftohtit! Në këtë brimë, nuk hynte as një rreze dielli, ishte si në fund të ferrit dhe nuk besoje se shpëtoje i gjallë!
Teli u ngrit dhe filloi të lëvizte, pasi vetëm lëvizja të mbante pak gjallë. Duke tretur gjithnjë nga mishi, sepse të 500 gramët e bukës, s’kishin as 100 kalori. I thashë Telit, të më bënte pak masazh se më kishin ngrirë shpatullat dhe gjithë muskujt, e duke më bërë masazh, ai i frynte kurrizit tim, që ta ngrohte me frymën e tij të ngrohtë.
-“Mjaft i thashë, të të bëj unë pak ty”?
-“Jo’, më tha, ‘do ulem edhe unë që të rrimë kurriz më kurriz, pasi do të jetë më mirë”.
Teli ishte një djalë inteligjent, i dashur në shoqëri. Ai më tregoi të gjithë historinë e tij familjare dhe të arrestimit. Kishte rënë në burg, vet i tretë. Një shok i vdiq në qelitë e hetuesisë, kurse tjetri, ishte me të në Spaç dhe e quanin Kosta Qirjako.
-Polic Gjini, e solli me vonesë drekën aty nga ora tetë e darkës. Jorgji, tellalli i kampit, e vari kusinë me çaj dhe copat e bukës mbi lavamanin e çesmës. Polici filloi dhe i hapi birucat me rradhë nga e para. Kishim vetëm pesë minuta në dispozicion që të merrnim bukën dhe të dilnim, në WC. Gjatë 24 orëve, dilnim tre herë në WC, dhe 20 minuta pastrim të qelisë, ose për të marrë pak ajër në korridor.
Konflikti i Aristotelit me polic Gjinin për çajin tim!
E morra fetën e bukës që nuk ishte më tepër se 100 gram dhe në tas hodha një lugë ujë të turbulluar që i thonin çaj! Në tas ranë copa akulli, pasi ai kishte ngrirë! Kur e pa Teli, se unë hodha copa akulli në tas, qeshi dhe me ironi i tha policit që rrinte lart mbi hekura:
-“Sa sheqer i keni hedhur, u ka hikur dora sonte”, duke i treguar policit një copë akulli që notonte në tenxhere.
-“Hauu, nuk i pëlqeka ftyrës tande”, kërceu nga vëndi ku ishte ulur Gjini, ‘të bëj të hash hekra, jo buk. mos ki gajle”, dhe erdhi te dera e hekurt, e hapi dhe hyri në birucën tone, shumë i egërsuar.
-“Barkas, palaçhane”, skroftiu Gjini.
-“Nuk dua”, e kundërshtoi Teli dhe ishte gati të hidhej ta shqyente po t’i afrohesh që ta prekte.
-“Hauu, qenke dhe trim?! Barkas po të them”.
-“Nuk dua, hiqmu qafe që këtej”, e kundërshtoi përsëri Teli, i vendosur.
-“Ktheni duart t’ju lidh”, bërtiti përsëri polici që ishte bërë xurxull nga nervozizmi.
-“Ik qërohu, ç’je ti, një bith kapterri”, tha Teli duke mos e prishur terezinë.
Polici mbylli dyert e hekurta, duke mos na e dhënë bukën ne të burgosurve të tjerë dhe doli me vrap jashtë, për të vajtur në komandë që të ankohej.
-“Ç’na bëre mor Teli”, ankoheshin të burgosurit që se kishin ngrënë akoma, rriskën e bukës, që kishim tetë orë që e prisnim me padurim!
Ndërkohë polic Gjini, erdhi me dy policë të tjerë, Jakun dhe Preng S. Të tre policët hynë në birucën tonë!
-“Ku je ti ftyr e keqe që kundërshton”?!
-“Ja këtu jam”, i’u përgjigj Teli nga fundi i qelisë që errësira e mbulonte përjetësisht. Policët i’u turrën të tre në kurriz, si hienat viktimës së tyre! Përpara syve të mij, po zhvillohej një betejë, jo e barabartë: tre me një?! S’kisha asnjë fije force, që t’i vija në ndihmë, këtij fatkeqi, që po i thyenin eshtrat me çizme dhe kërbaç.
E lidhën dhe e hoqën zvarrë, duke e përplasur në korridoret e qelive në ujë e akull. E mbyllën qelinë time dhe më tepër se një orë, e rrahanë kufomën e Telit, kockë e lëkurë, ndërsa ai s’po nxirrte as një zë! Policët ikën pasi kishin dalë fitimtarë duke qeshur e zgrëdhirë për veprën e tyre kriminale.
Gjini, u hodhi të burgosurve nga një fetë bukë nëpër qeli dhe batanijet që tashmë kishte kaluar koha e tyre, e u largua, duke e lënë Telin të lidhur në korridor të qelive, të shtrirë. Vonë natën në qeli, erdhi Pjetër K., dhe e hodhi në qeli trupin e ngrirë të Telit, trupin e tij që e kishte gjithë plagë.