[sgmb id=”1″]
Edi Ramës iu desh të përdorte pa vonesë kryetarin e ri të grupit të PS për planin e tij për të lejuar me çdo kusht importin e plehrave.
Kur publiku nisi të ndizej nga lajmi se mazhoranca e re, tërësisht socialiste, e kishte futur ligjin në javët e para të kalendarit të punimeve të Kuvendit, Taulant Balla doli për ta mohuar dhe njëkohësisht për të lajmëruar një strategji të re.
“Nuk ka më projekt-ligj për dekoratat apo për mbetjet. Grupi Parlamentar Socialist do t’i rikthejë në publik për një debat shterrues, bazuar në argumenta jo në akuza dhe në arsye jo në mllef. Bashkëqeverisja me njerëzit e zakonshëm ka filluar”, shkruante Balla në FB.
Ajo që njofton kryetari i ri i grupit të PS, i zellshëm disa herë më shumë se paraardhësi Gramoz Ruçi për t’i ardhur valles së kryeministrit, është një kurth tipik që po i ngrihet jo vetëm kundështarëve të ligjit, por të gjithë publikut.
Është një dredhi për të hequr përgjegjësinë nga vetja për miratimin e një ligji që vetë Edi Rama kur ishte në opozitë e lidhte me interesa mafioze dhe antikombëtare.
Edi Rama ka qenë i bindur për ta lejuar ardhjen e plehrave të huaja kur në mesin e mandatit të parë hartoi ligjin me iniciatorët Shalsi e Bare. Mbi këtë bindje ai do t’i drejtohet publikut, me qëllimin për ta bindur dhe jo për ta dëgjuar.
Ai ka bërë fushatë për këtë tezë. Ka takuar importuesit në kryeministri dhe ka folur hapur në mbrojtje të ligjit.
Ka parë disa herë protestues para zyrës së tij dhe i ka injoruar zërat e tyre.
Ishte gati të rrëzonte dekretin e presidentit që e refuzoi ligjin, por nuk i dilnin llogaritë me votat. Ka takuar disa herë Ilir Metën për ta bindur që ta votojë edhe partia e tij që doli hapur kundër pas dekretit presidencial. Dhe në fund ishin vetëm votat e LSI që e detyruan të tërhiqej në heshtje.
Në mandatin e dytë nuk i duhen votat e LSI. Ai mund ta votojë vetëm ligjin për të cilin duhet shumicë e thjeshtë. Por sërish nuk e bën. E di ç’përgjegjësi është dhe s’mund ta mbajë asnjëherë i vetëm. Nuk e ka as LSI –në apo ndonjë aleat tjetër që ta akuzojë si fajtore, siç bëri gjatë fushatës a thua se vetë ka qenë për 4 vjet në opozitë.
E di që do t’i mbetet faji për gjatë dhe ai s’pranon asnjëherë se është fajtor për ndonjë gjë.
Gjithnjë përgjëgjës janë të tjerët, si Tahiri për kanabisin, Beqja për koncesionet në shëndetësi, Brisi për tatimet, Shalsi për plehrat, apo Gonxhe për betonizimin e Tiranës apo hapjen e digës së liqenit.
Dhe kësaj here fajin kërkon t’ia lërë popullit.
Me shumë gjasë diskutimi që lajmëron Balla do të jetë i njëjtë me dëgjesat që kryeministri bëri para se të godiste drejtuesit e Hipotekave apo drejtorët e Spitaleve Publike.
A keni dëgjuar ndonjëherë në të tilla dëgjesa që të kritikohet vetë Rama si përgjegjës kryesor që nëpër hipoteka e spitale vendosi militantë dhe jo profesionistë? Ai u soll sikur e mësoi vetëm në fund ta mandatit që 4 vjet me radhë në këto zyra ka gëluar korrupsioni. Për ta kuptuar më mirë, mund ta shohim në dy perspektiva këtë qasje të tij: ose kryeministri është i rrethuar nga grupe njerëzish që nuk i japin informacionin e duhur se çfarë ndodh realisht me shtetin që drejton ose bën qëllimisht të vebrin dhe shurdhin për atë çfarë ka parë dhe dëgjuar për 4 vjet me radhë në këtë vend.
Me siguri edhe në këto diskutime ai do të bëjë sikur s’i ka dëgjuar problemet për të cilat i flasin ambientalistë, ekspertë e kritikë. Dhe do ta zhvendosë debatin gjetkë.
Dhe pa asnjë dyshim diskutimet do t’i ketë me militantë të PS. Është larg mendsh që të diskutojë me ata të PD e LSI. Kështu që të gjithë do t’i mbajnë iso ose do t’i bëjnë pyetje “kontruktive” me qëllimin për t’u informuar më mirë rreth të mirave që ka importi i mijëra e mijëra tonelatave me plehra; dikush se ka djalin, vajzën, gruan, bashkëshortin apo nipër e mbesa në punë e dikush me shpresën se i gjithë mileti i tij mund të punësohet.
Diskutimi i kryeministrit dhe të zgjedhurve të tij me popullin, pasi Rama e vendosur me të tijën se do t’i importojë plehrat, pa dashur të dëgjojë shoqërinë civile apo kritikët është kryekëput një kurth për të përdorur popullin (atë socialist në këtë rast) për të mbytur zërat kundër dhe për të arritur qëllimin e tij dhe për të dalë i palagur nga përgjegjësitë.