Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi u shpreh se, “sezoni turistik ia doli të mbijetojë, megjithëse ishte një vit shumë i vështirë për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19, ndërkohë që sezoni turistik nuk ka mbaruar ende”.
Në një intervistë për median Klosi tha se “për turizmin ishte një vit i vështirë. Ndërkohë që nuk bie dakord me lajmet që informojnë fundin e sezonit turistik, apo u mbyll sezoni, pasi duhet t’i falemi motit të mirë dhe të ngrohtë që po nxit ende fluksin e turistëve në vendin tonë, kryesisht nga vendet e Rajonit, si Kosova e Maqedonia”.
“Hotelet e bregut janë ende të frekuentuara në mënyrë të konsiderueshme edhe në mesin e muajit shtator. Bëj apel që sezoni turistik nuk ka mbaruar, kur thamë atëherë deri më 15 nëntor, mbajmë mend që pati shumë ironi nga opozita apo nga njerëz që nuk e kuptojnë këtë industri”, – u shpreh ministri.
“E kemi thënë shpesh dhe po e ritheksoj, – vijoi Klosi, – se do të vazhdojmë të konsumohet turizëm në qoftë se do të vijojë të ketë mot të mirë, pasi janë shumë të interesuar kompanitë për të ofruar destinacion Shqipërinë”.
Duke iu referuar këtij sezoni turistik ai theksoi se “ja kemi dalë në fakt në këtë sezon jashtëzakonisht të vështirë për turizmin. Katastrofik për vendet e Rajonit dhe të Europës që kanë një turizëm të përqendruar. Ne ia dolëm të mbijetojmë, madje mbijetuam të kemi një turizëm të konsiderueshëm në zonat bregdetare. Nga situata e krijuar nga COVID-19, vuajti këtë sezon Berati, Gjirokastra, Korça, Kruja, pra qytetet që ishin destinacione për turistët e huaj. Por ama nuk mund të them që pati shqetësim në zonën e bregut në Vlorë, në Shëngjin, Velipojë të cilat u frekuentuan jo vetëm nga shqiptarët e Shqipërisë”.
Sipas tij, politika e ndjekur ia doli që ne të kemi një grup të ri turistik në Shqipëri që janë turistët e Rajonit. Pati këtë vit një numër të konsiderueshëm turistësh nga Serbia, Maqedonia, nga Bosnja, Bullgaria e Mali i Zi.
“Pra Shqipëria u shndërrua në një destinacion dhe ky është një lajm shumë i mirë për një turizëm që do të qëndrojë ende”, – tha ministri Klosi.
“Për sa i përket muajve të mbylljes nga Covid padyshim që shifrat ishin 0. Ndërsa në muajt qershor, korrik dhe në gusht shkuan në 40% numri i të huajve që kanë hyrë në Shqipëri si zakonisht. Ndërsa në 15 ditët e para të shtatorit ne kemi rreth 70% të numrit të të huajve që kanë hyrë në vendin tonë, ose rreth 230 mijë pasaporta të huaja kryesisht nga vendet e Rajonit, që kanë hyrë në vendin tonë”, – u shpreh Klosi.
Duke iu referuar bilancit të hyrje daljeve, Klosi theksoi se numri i shqiptarëve që kanë dalë jashtë është minimal dhe buxheti i shpenzuar i papërfillshëm, kundrejt hyrjes së të huajve në vendin tonë.
“Dy ishin mesazhet për turizmin, që dolën nga situata e pandemisë: e para, që shqiptarët njohën Shqipërinë, potencialin e madh turistik të vendit dhe në këtë kuadër filozofia që ndoqëm për njohjen e bregdetit shqiptar si destinacion të mundshëm pati efekt, nga vizitorët e rajonit. Së dyti, thirrja emergjente që sa shumë nevojë kemi ne për struktura akomoduese, pasi me këtë fluks të turistëve të brendshëm dhe atyre nga Rajoni, që po e bëjnë zgjedhje Shqipërinë për turizëm kërkojnë zgjerim të strukturave akomoduese”.
Klosi theksoi se turizmin në Shqipëri e favorizojnë ndër të tjera edhe çmimet e arsyeshme dhe kulinaria tradicionale.
“Risi në këtë sezon turistik ishte edhe zgjerimi i hapësirave publike ku pushuesit frekuentonin plazhin pa kosto dhe në disa bashki pati shërbime për mbajtjen e plazheve pastër. Pra oferta për plazhin publik ka qenë e përmbushur në shumë drejtime”, – tha Klosi.
Klosi evidentoi faktin se, nga të gjithë turistët e huaj që vizituan vendin tonë nuk pati asnjë rast të infektuar në hotelet shqiptare, çka na rriti reputacionin “Shqipëria vend i sigurt për turizëm”. /atsh