Sudiuesi Auron Tare, ish-drejtori i Parkut Arkeologjik të Butrintit, u shpreh kundër dhënies së kësaj trashëgimie arkeologjike me koncesion për menaxhim te privati.
Qeveria e Edi Ramës ka vendosur t’ia japë Butrintin me koncesion për 10 vite kompanisë britanike “Prince & Pearce”, dhe ky duket se është një rast unik në Europë.
“Situata në 10-vjeçarin e fundit në Butrint lë për të dëshiruar, si situata e vizitorëve dhe ekspeditat arkeologjike, shkolla e restaurimit e cila nuk është më”, – thotë Auron Tare.
Më tej ai shton se kjo do t’i hapë rrugën kompanive të tjera private për të marrë në menaxhim trashëgimi kulturore, ku sipas tij nuk është çudi nëse një kompani greke merr në menaxhim Gjirokastrën apo Tepelenën.
“Megjithatë do të thosha me gjithë këtë situatën që ka trashëgimia kulturore në Shqipëri, Butrinti i qëndroi, i rezistoi”.
“Në asnjë mënyrë nuk mund t’i jepet një fondacioni të huaj për menaxhim. Nëse kjo do të ndodhë, atëherë ne do të mund të kemi shumë mirë një fondacion grek që mund të marrë Gjirokastrën, Tepelenën, apo Krujën”, theksoi Tare.
Sipas ish-drejtori i Parkut Arkeologjik të Butrintit, teksa ishte i ftuar në “Ora News”, – “PPP në trashëgiminë kulturore është shumë e rrezikshme. Nuk mund t’u jepen të huajve. Nuk kemi një model tjetër në Europë. Ose do të pranojmë që Butrinti ka falimentuar, dhe i jepet një pale të huaj”.
“Ose themi që Butrinti është i suksesshëm, dhe nëpërmjet një fondacioni të mblidhen të gjithë ekspertët më të mirë shqiptarë. Por duhet të jetë një bërthamë shqiptare, nuk mund ta dorëzosh trashëgiminë tënde te një i huaj”, – tha Auron Tare.
/NOA.al