Skuadra “Shqiponja” në Vlorë do të jetë më e madhja në vend, pas Tiranës, tha ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj gjatë ceremonisë së prezantimit të kësaj njësie në Vlorë.
Në takim morën pjesë drejtuesit më të lartë të pushtetit vendor, drejtuesit kryesorë të Policisë së Shtetit e zyrtarë të tjerë vendorë.
Ministri Lleshaj përsëriti apelin për të rinjtë universitarë që t’i bashkohen Policisë së Shtetit për ta luftuar krimin në ato hapësira ku kërkohen dije të posaçme siç janë hapësira kibernetike, transaksionet bankare etj. Lleshaj u shpreh gjithashtu se programi i rritjes në numër, cilësi dhe pajisje i Policisë së Shtetit, do të vijojë edhe në të ardhmen në mënyrë që policia jonë të këtë një nivel sa më të lartë profesional.
“Sot ne vijmë në Vlorë për të prezantuar një risi, për të prezantuar një strukturë të re, strukturën e posaçme operacionale “Shqiponja”, e cila me sa duket në Vlorë ka edhe madhësinë përkatëse, që i shkon Vlorës, pra është më e madhja nga numri për strukturat e ngritura në në qarqet e tjera, përjashtuar Tiranën”, – thekson Lleshaj.
“Sigurisht që sot kjo njësi vjen si një aset i plotë, një njësi e kompletuar, së pari me njerëzit e saj, djemtë dhe vajzat e saj, të cilët janë trajnuar, janë përzgjedhur në kuadër të një procesi intensiv përzgjedhje, ndërmjet mijëra të tjerëve. Janë trajnuar, pajisur me gjithçka, pra është një skuadër e plotë që i ka të gjitha. Ka njerëzit, ka mjetet, ka motivimin, ka kualifikimin, ka dëshirën, ka mbështetjen e të gjithëve dhe prandaj besoj që kjo është mënyra për të prezantuar dhe për të filluar një projekt të ri të madh”, – u shpreh Lleshaj.
“Ne do ta vazhdojmë me vendosmëri kursin e ndjekur gjatë viteve të fundit për ta shtuar policinë në numër, për ta modernizuar atë në pajisje, për ta perfeksionuar atë në trajnim, në kualifikim dhe për ta mbështetur atë në të gjitha aspektet e mundshme. Janë dy tendenca, janë dy grafikë pas meje, që tregojnë dy tendenca të kundërta me njëra-tjetrën. Është një grafik që rritet dhe ky është grafiku i numrit të policisë, në këto vite, i cili është shtuar në mënyrë të ndjeshme, 17% është shtuar numri neto i punonjësve të policisë që nga viti 2013, duke arritur sot një nivel të pranueshëm, ndonëse jo stacioni fundor.
Ndërkohë ka një tendencë tjetër, ka një grafik tjetër, që është grafiku në rënie i të gjitha figurave të krimit në Shqipëri. Mbrapa meje është paraqitur vetëm një tendencë, tendenca e uljes së numrit të vrasjeve, e cila ka shkuar sot në gjysmën e atyre që ishin në 2013. Por nuk janë vetëm vrasjet si tregues, janë të gjithë indikatorët e tjerë që masin nivelin e rendit dhe sigurisë publike, që janë në këtë tendencë rënieje, pra përmirësimi të vazhdueshëm”, – theksoi Ministri i Brendshëm.
“Përgjigjja për pse-në e këtij zhvillimi pozitiv, për pse-në e këtij suksesi është pikërisht investimi serioz në sigurinë e vendit, në Policinë e Shtetit, në organet e tjera ligj zbatuese. Tashmë përditë e më tepër siç jeni në dijeni edhe në sistemin e drejtësisë”, – sqaroi Lleshaj.
“Përveç shtimit të numrit të policisë ne kemi ndjekur edhe një politikë të shtimit të kapaciteteve të saj, pra nuk kemi shtuar thjesht numrin, nuk kemi shtuar njësitë ekzistuese, apo kapacitetet ekzistuese, por kemi ngritur kapacitete të reja të munguara për t’iu përgjigjur sfidave të reja, të cilat janë të shumta dhe ndryshojnë përditë. Për këtë arsye e kemi krijuar strukturën e skuadrës “Shqiponja”, në të gjithë vendin”, – tha ai.
“Po përveç këtyre kemi krijuar një numër të konsiderueshëm njësish të reja të specializuara në nivelin qendror duke filluar me njësinë “E”, që është njësia e luftës kundër krimit ekonomik; me njësinë “I”, që është njësia e inteligjencës; me njësinë “C”, që është njësia e luftës kundër krimit kompjuterik dhe atij kibernetik; me njësinë “K” që është njësia e kapjes së personave që i janë shmangur drejtësisë në vite; dhe me OFL-në që është struktura e ngarkuar me luftën kundër aseteve kriminale. Thelbi i të gjithë kësaj përpjekjeje është një – të ngushtojmë hapësirën e krimit dhe të mundësojmë që krimi të sulmohet nga të gjitha anët, një sulm koncentrik, jo vetëm ndaj individëve që bëjnë vepra kriminale, por ndaj pasurive të tyre, ndaj aseteve të tyre, ndaj lidhjeve të tyre, ndaj ndikimit të tyre e kështu me radhë”, – theksoi Lleshaj.
“Siguria është një e mirë e madhe publike, e cila nuk mund të ndërtohet vetëm nga policia, vetëm nga organet ligjzbatuese. Ajo ndërtohet nga pjesëmarrja e qytetarëve. Për këtë arsye na duhet që këtë ta konsiderojmë drejtimin e parë të punës sonë, marrëdhënien për të fituar qytetarët, për t’u bërë palë me to, për të qenë pjesë e tyre dhe jo përballë tyre. Asnjëherë përballë tyre, gjithmonë në krah dhe mes tyre edhe gjithmonë përballë krimit. Kjo është deviza që duhet të ndjekim, dhe me këtë rast u uroj të gjithë djemve dhe vajzave që i bashkohen sot skuadrës së re “Shqiponja” në Vlorë, punë të mbarë, faqebardhë. Ndihuni me fat se jeni në Vlorë. Jo se të tjerët nuk janë me fat, por ju duhet të jeni me fat ngaqë jeni në Vlorë, jeni në këtë peizazh të mrekullueshëm, në këtë vend me potencial të jashtëzakonshëm turistik, kulturor, shoqëror dhe shpreh bindjen që ju do ta ngrini më lart imazhin e Policisë së Shtetit, do ta forconi më tej marrëdhënien e saj me komunitetin dhe do ta fuqizoni më shumë efektivitetin e saj në luftën kundër krimit dhe do të shërbeni më mirë për të vendosur parametra më të larta të rendit dhe sigurisë publike”, – përfundoi Lleshaj./atsh