Avokati, Spartak Ngjela, lëshoi deklarata të forta në A2, ku u shpreh se e ardhmja e Shqipërisë nuk është e lidhur me dy grupet aktuale politike. Madje, ai shkoi edhe më tej, duke thënë se nëse BKH-ja do të krijohet deri në vjeshtë, asnjë nga politikanët aktualë nuk do të jenë kandidatë në zgjedhjet e vitit 2021.
“Shqipëria nuk ka asnjë shpresë tjetër përveç reformës antikorrupsion. Mos i merrni seriozisht këta që fillojnë të flasin për fushata elektorale. Ambasadorja amerikane i goditi sot duke thënë se po sabotohet ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Shqiptarët e mençur presin BKH-në. Nëse do të kemi forca që të fillojë funksionimi i BKH-së, asnjë nga këta nuk i ke më kandidat për deputet. Jam i sigurt për këtë.
Hetuesit e BKH-së janë edhe me shtetësi shqiptare, janë edhe me shtetësi amerikane. Vetëm kryetari është vetëm me shtetësi shqiptare. BKH i ka shqetësuar këta. Këta dy grupime politike nuk kanë lidhje me fatin e ardhshëm të Shqipërisë.
Nëse politika e madhe që po drejton antikorrupsionin në Shqipëri e formon Byronë Kombëtare të Hetimit brenda vjeshtës, asnjëri nga këta nuk i ke kandidatë për deputetë. Nuk do të jenë kandidatë pasi do të jenë për hetim. Nuk kam të dhëna konkrete, por edhe Rama nën hetim do të jetë. Kjo është edhe arsyeja e reagimit të ambasadës amerikane”, tha Ngjela.
Por kush do ta drejtojë vendin nëse do të largohen këto dy grupe politike, sipas avokatit?
“Vakumi do të ndërtohet nga influenca perëndimore. Ne kërkojmë të shkojmë në BE dhe reformën antikorrupsion e kërkon Brukseli. Por unë mendoj se aktualisht nuk mund të flasim për emra, por për frymë. Fryma e politikës së sotme shqiptare është dekadente dhe duhet ndërruar.
Problemi është shumë i thjeshtë, ne duhet të presim reformën. Ata që do të vijnë do të jenë nga bota akademike dhe sidomos nga shqiptarë të iluminuar në perëndim dhe që janë në pozicione të rëndësishme sot në perëndim. Mos mendoni se nuk ka filluar ingranimi i tyre në politikën e re që do të vijë në Shqipëri. Kam të dhëna që janë të kontaktuar. Ne kemi këtë shpresë, atë të një reforme absolute antikorrupsion”.