Aleks Buda e pa për herë të parë dritën e diellit më 7 shtator 1911, në një nga shtëpitë e lagjes Kala të Elbasanit, në familjen e Taqi Budës, përfaqësues i qytetit të tij në kongreset e Manastirit dhe Elbasanit dhe mbështetës i Normales së mirënjohur të qytetit.
Kryeministri Edi Rama përkujtoi sot në rubrikën “Homazh” fidgurën e Aleks Budës duke e cilësuar atë “një nga dy mushkëritë që oksigjenuan shkollën shqiptare të studimeve albanologjike”.
“I prirur familjarisht drejt mësimnxënies dhe mësimdhënies, qysh fare i ri, Aleks Buda i avitet, nga Austria në Itali, kryeqendrave të hulumtimit shkencor në fushë të ballkanistikes; frekuenton Patsch, Joklin dhe Tagliavinin; dialogon në idiomat e shkencës me Çabejin dhe Lasgushin; përfton aftësinë e qasjeve holiste dhe analitike të historisë; me një fjalë, merr krahët e hutinit të Minervës dhe të Hegelit dhe kqyr panoramen e madhe historike, kombëtare dhe ndërkombëtare”, theksoi Kryeministri Rama.
Me durimin dhe vetëpërmbajtjen e një filozofi antik dhe me prirjen ku bashkohej pasioni për shkencën dhe geni familjar, përballoi vënien në shënjestër nga snajperët e ideologjisë, pa iu shmangur detyrës që i kishte taksur fati: grumbulloi burimet njerëzore që krijuan botën shkencore dhe akademike shqiptare; përmblodhi në vëllime etapat kryesore të studimeve historike në Shqipëri; i dha dorë hulumtimeve enciklopedike; mbikqyri dhe redaktoi dhjetra botime të dokumentacionit të huaj mbi historinë tonë; la faqe nga më interesantet dhe me autoritativet të historiografisë shqiptare, me një thjeshtësi të admirueshme””, shtoi ai.
“Aleks Buda mbetet, së bashku me Çabejin, alter ego-n e tij të gjuhësisë shqipe, një nga dy mushkëritë që oksigjenuan shkollën shqiptare të studimeve albanologjike. Sa të varfër do të kishim qenë pa frymën që, në mes të tallazeve të një shoqërie të ndrydhur e nën përdhunën e diktaturës, ata injektuan në mjedisin intelektual dhe pedagogjik”, përfundoi Kryeministri Edi Rama. /atsh