Loading...

A do të ketë ndryshime në qeveri/ Rama: Ministrat e lodhur mund të shkojnë në stolin e rezervave

Kryeministri Edi Rama vendosi të marrë përsipër drejtimin e qarkut të Durrësit, para zgjedhjeve të vitit 2021, por duke lënë enigmë nëse do të kandidojë sërish në Vlorë, gjatë zgjedhjeve të ardhshme.

Në kërkim të mandatit të tretë, çka do të ishte historik për një parti shqiptare pas rënies së komunizmit, kryeministri Rama nuk përjashton as mundësinë e ndryshimit në qeverisje.

“Se kam udhëhequr unë fushatën elektorale të Vlorës asnjëherë as më përpara. Udhëheqësi i fushatës elektorale ka qenë dhe është Damian Gjiknuri”, – sqaroi Rama.

“Kështu kjo është fake news. Unë kam marrë përsipër të kujdesem për Durrësin, sepse është një zonë me rëndësi të posaçme, në këtë fazë kur ne na duhet të ndërtojmë aty një shembull spektakolar të ndërtimit pas gjithë asaj tragjedie që kaloi Durrësi”, – tha Rama në një inervistë për “Top Channel”.

“Është pjesa më e dëmtuar dhe pjesa më sfiduese e rindërtimit, pasi aty do të duhet të bëjmë një punë shumë të madhe”, – shtoi më tej kreu i qeverië.

“Kemi ecur shumë me projektet. Siç dihet, ose për ata që se dinë, e përsëris se për rindërtimin në Durrës ne kemi një marrëveshje që unë e kam bërë me princin e Emirateve të Bashkuara. Janë Emiratet e Bashkuara që do të na mbështesin financiarisht dhe me ekspertizë teknike në mënyrë që të arrimë të bëjmë diçka fantastike në Durrës. Kështu që nuk ka lidhje e dyta me të parën apo e para me të dytën. Pastaj unë jam edhe nga Durrësi, edhe nga Vlora jam, edhe nga Shkodra madje”.

Rama foli edhe mbi faktin se vetëm 3 nga 14 ministra delegoi të udhëheqin fushatën në qarqe, para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

“Edhe kjo nuk lidhje, nuk e kuptoj se ku qëndron lidhja. Kur vjen puna tek drejtimi qarqeve dhe këtu nuk flasim njëherë për udhëheqjen e fushatës, fushata është akoma larg,” – u shpreh Rama.

“Këtu flasim për ata që janë kujdestarë në këtë fazë por kjo është për t’u parë në proces dhe kush do të lodhet do të kalojë në vijën e dytë dhe mund të shkojë në stolin e rezervave. Kush do të ketë energji do të shkojë në sulm deri në fund” – shtoi ai. – “Kështu që nuk është përfundimtare as nuk ka lidhje je ministër apo s’je ministër. Të qenit ministër ose jo ministër nuk lidhet me këtë sepse varet se ku të kërkon partia siç i thonë”.

Megjithatë, për momentin kryeministri Rama tha se nuk do të ketë ndryshime në qeveri.

/NOA.al