“Lufta e Vlorës tregoi qartë se pavarësia jonë u fitua me luftë”, tha sot kryetari i Akademisë së Shkencave Skënder Gjinushit, i cili mori pjesë në konferencën shkencore kombëtare, “Lufta Kombëtare e Vlorës, luftë për mbrojtjen dhe rikonfirmimin e Pavarësisë”.
“Periudha historike e viteve 1918-1920, me Luftën e Vlorës si ngjarje kulmore; tërë zhvillimet para dhe pas saj, për nga rëndësia dhe vlera, përbëjnë një prej periudhave që meritojnë interesimin e veçantë të historianëve, të politikës e të tërë opinionit, si dhe të institucioneve kryesore të kërkimit e studimit në këto fusha. Është kjo arsyeja pse figurat tona më të spikatura, historianët më në zë të Akademisë së Shkencave dhe të institucioneve të tjera akademike, i kanë kushtuar ne vazhdimesi studimet e tyre me serioze e profesionale kësaj periudhe të historisë sonë. Shembullin e tyre po e ndjekin me po atë përkushtim edhe shumë nga studiuesit e sotëm”, tha ai.
Gjinushi shtoi se “studimet e shumta që janë kryer dhe mijëra dëshmi dokumentare të kohës, të fituara edhe prej hapjes rishtazi të shumë arkivave, janë mbështetja themelore që mundësuan zhvillimin e kësaj konference, me pjesëmarrjen e studiuesve tanë më të njohur të periudhës. Qëllimi i konferencës nuk është thjesht një riparaqitje, me rastin e 100-vjetorit të fitores së Luftës së Vlorës, e ngjarjeve në rrjedhën e tyre kronologjike, e rolit të protagonistëve më të rëndësishëm të saj si dhe e rezultateve kryesore për të cilat i kushtojmë nderim, siç janë: ndalja e ricopëtimit të trojeve shqiptare dhe njohja përfundimtare e pavarësisë së Shqipërisë, por mbi te gjitha evidentimi i vlerave dhe tipareve më të spikatura të popullit tonë të shprehura gjatë kësaj periudhe, i ndikimit që pati kjo ngjarje në tërë zhvillimet e mëtejshme”.
“Në Luftën e Vlorës, populli ynë evidentoi ndër cilësitë më të vyera të tij si një popull me ndjenja kombëtare të përparuara: tiparin e tij si një popull liridashës, luftarak dhe trim; ndjenjën e fortë kombëtare të mishëruar ndër shekuj dhe veçanërisht gjatë Rilindjes Kombëtare dhe lëvizjes për pavarësi; aftësinë e tij për të reaguar në mënyrën e duhur në momentet kryesore historike siç ishte Lufta e Parë Botërore; formimin e plotë të ndërgjegjes kombëtare dhe krijimin e një elite të nevojshme politike me aftësinë për t’u vetëqeverisur e për të mbrojtur lirinë e sovranitetin e vendit”, tha ai.
Në vijim Gjinushi tha se “analizimi nga afër i kësaj periudhe ka rëndësi për t’u dhënë vlerën e duhur e për t’i paraqitur me objektivitet tërë veprimet e zhvillimet kulmore të shqiptarëve gjatë shekullit të 20-të, që është shekulli i luftës për pavarësi dhe bashkim kombetar të shqiptarëve, duke nisur me Shpalljen e Pavarësisë më 1912, me Luftën e Vlorës më 1920, me luftën për çlirim krah aleatëve në Luftën e Dytë Botërore, me përqafimin e lëvizjes demokratike në vitin 1990 dhe së fundi me luftën çlirimtare të Kosovës përkrah NATOS, më 1999 në mbyllje të shekullit”.
“Lufta e Vlorës tregoi qartë se pavarësia jonë u fitua me luftë. Ajo nuk u arrit vetiu, me shpalljen e saj më 1912, dhe as prej përkrahjes dhe interesave të ndonjë fuqie të kohës në momente të caktuara. Vlora tregoi se pavarësia ishte rezultati i tërë lëvizjeve për mëvetësinë shtetërore të Shqipërisë, të nisura që nga fillimi i shekullit dhe të kurorëzuara në Luftën e Vlorës, si luftë e tërë shqiptarëve. Me Kongresin e Lushnjës dhe vendimet e tij; me tërë veprimet e politikës shqiptare e të qeverive të kohës për mbrojtjen e Korçës; për marrjen nen kontroll te Shkodrës dhe deri organizimin e Luftës së Vlorës, shqiptarët treguan se dinë të bashkohen kur duhet e mbi të gjitha se tashmë identiteti e vetëdija e tyre kombëtare ishin më se të konsoliduara, ndryshe nga çka janë përpjekur a përpiqen të thonë edhe sot qarqe apo zëra që e vënë në dyshim këtë ndjenjë parësore, me argumentin se më 1912 hezitohej ndarja nga Turqia apo më 1920 ndarja nga Italia”, tha ai.
Po ashtu, Gjinushi shtoi se “me Luftën e Vlorës shqiptarët, duke përshëndetur parimin prej 14 pikash të formuluar nga Presidenti Uillson; si dhe duke vlerësuar si atëherë edhe sot se ato ishin një nga faktorët kryesorë që çuan në pavarësinë e Shqipërisë, kuptuan se ky parim paqësor nuk zbatohet vetvetiu, por kërkon që populli të imponohet edhe me forcën e armëve. Përvojë e cila i shërbeu shqiptareve dhe për çlirimin e Kosovës. Fitorja e Luftës së Vlorës është fitore e një lufte pas mbarimit të Luftës Botërore, është fitore jo ndaj të mundurve, por ndaj palës fituese, që tashmë kishte të drejtën për të caktuar kushtet e paqes dhe rendit të ri botëror”.
“Ishte pikërisht mbrojtja e imponimi i këtij parimi nga SHBA, krahas me Luftën e Vlorës më 1920 dhe me atë e Kosovës më 1999, që i dhanë pavarësinë Shqipërisë e më pas edhe Kosovës. Nga kjo periudhë shqiptarët kuptuan se nuk kishin aleatë jashtë interesave të tyre; se gjithkush që kërkonte protektoratin ndaj Shqipërisë e desh jo për të krijuar një Shqipëri të madhe, as për të garantuar sovranitetin e pavarësinë e saj. Ishte ky mësim që bëri që shqiptarët, ndryshe nga politikat qeveritare, të rreshtoheshin në krah të aleatëve të mëdhenj, në krah të fitimtarëve të Luftës së Dytë Botërore, për të mos lejuar që vendi i tyre të bëhej pre e ricopëtimit”, tha ai.
Në fund, Gjinushi shtoi se Janë vlerat politike dhe morale të kësaj periudhe heroike, që janë evidentuar nga studiuesit dhe do të evidentohen me profesionalizëm edhe nga punimet e kësaj konference; janë këto vlera historike që kanë bërë që edhe sot, pas 100 vjetësh, Lufta e Vlorës të jetë lufta më e papërfolur, më e papërbaltur, edhe prej mendjeve më kritike e më tendencioze, qoftë për rëndësinë që ka, qoftë për vlerat ushtarake, qoftë për vendin e rolin që zë në historinë e Shqipërisë”./atsh