Loading...

100 vjet nga Lufta Kombëtare e Vlorës/ Ekspozitë me dokumente e fotografi në pedonalen e qytetit

100-vjetori i Luftës Kombëtare të Vlorës bëri bashkë në qytetin historik studiues, autoritetet vendore, deputetë të qarkut Vlorë si dhe përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, Muzeu Historik Kombëtar dhe Muzeu Kombëtar Vlorë, të cilët ishin dhe organizatorët e ekspozitës së realizuar me këtë qëllim.

Ekspozita përmbante dokumente që datonin që nga fillesat e organizimit të luftës, deri në fund të çlirimit të qytetit të Vlorës, foto të vullnetarëve në luftë, telegrame për çlirimin e vendit, fotografi nga festimet e çlirimit, dekoratat dhe vlerësimet për heronjtë e luftës, si dhe krahës ekspozitës ishin paraqitur disa objekte muzeale.

Lufta e Vlorës, e njohur ndryshe si Lufta e 20-ës, ishte një seri betejash mes forcave italiane dhe patriotëve shqiptarë për zotërimin e qytetit të Vlorës.

Kjo luftë zgjati 3 muaj dhe më 3 shtator 1920 pas shumë luftimesh, forcat shqiptare arrijnë të çlirojnë qytetin duke i detyruar pushtuesit italianë të largohen jo vetëm nga rrethi i Vlorës, por edhe nga Saranda, Durrësi dhe Shëngjini. Nuk duhet lënë pa përmendur dhe kapedani Hodo Zeqiri i cili ka qenë një ndër heronjtë dhe udhëheqësit legjendarë të kësaj lufte.

Ekspozita do të jetë e hapur për të gjithë vizitorët gjatë gjithë ditës së sotme në pedonalen e Vlorës./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com