Në një kohë kur ka dyshime për arritjen e një marrëveshjeje mes Shqipërisë dhe Greqisë për kufirin detar, ka reaguar edhe Presidenti Meta.
Ky i fundit i ka kërkuar informacion zyrtar Kryeministrit Rama mbi këtë çështje, si edhe bisedën e tij me homologun grek apo zyrtarë të tjerë të vendit fqinj.
“Duke patur në konsideratë rëndësinë e jashtëzakonshme kombëtare, shtetërore, gjeostrategjike, ekonomike dhe jo vetëm, që ka kjo çështje për Republikën e Shqipërisë, si dhe ndjeshmërinë e lartë të opinionit publik, kërkoj informacione të detajuara mbi:
Komunikimin që keni zhvilluar me Kryeministrin e Greqisë dhe/ose me zyrtarë të lartë të Greqisë mbi këtë çështje;
Qëndrimin zyrtar të qeverisë shqiptare ndaj një vendimi të tillë dhe pasojave, përfshirë ato ndërkombëtare që mund të rrjedhin prej tij;
Veprimet që planifikohen në ndërmerren nga qeveria shqiptare ndaj pasojave që mund të vijnë prej një akti të tillë të njëanshëm të Greqisë”, shkruhet në letrën e kreut të shtetit.
Pak ditë më parë Kryeministri Rama ka deklaruar se kjo çështje nuk ka lidhje me Presidentin, duke i kërkuar këtij të fundit të mos bëjë rafting me Kushtetutën.
Ndërkaq, Kryeministri grek u tha parlamentarëve të vendit të tij se Greqia pritet të shtrihet me 12 milje në det.
Për Kryeministri Rama deklarata e homologut të tij nuk ka lidhje me Shqipërinë, dhe se mes vendeve ende nuk ka një marrëveshje. /k.k/noa.al/