[sgmb id=”1″]
Kryeministri Edi Rama deklaroi gjatë mbledhjes së Kryesisë dhe Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste se Gramoz Ruçi i ktheu dinjitetin Kuvendit të Shqipërisë.
“Dua të falenderoj në mënyrë të veçantë Gramoz Ruçin, i cili realisht i ktheu dinjitetin sallës së Kuvendit dhe ktheu shpresën se në atë sallë mund të ketë sens dhe rregull, ku mund të flitet për njerëzit dhe jo vetëm për njëri-tjetrin. Dua të nënvizoj edhe një detaj të rëndësishëm: fillimi për herë të parë i seancave në orën fiks të përcaktuar është një normë që ne do ta respektojmë për 4 vite”, deklaroi Rama.
Kryeministri shtoi më tej: “Ne do të shkojmë në sallë për t’ia kushtuar të gjitha minutat njerëzve të zakonshëm, për të respektuar rendin e ditës dhe për të mbajtur të shtrirë dorën ndaj opozitës, pavarësisht nga refuzimi i tyre”.
Në mbledhjen e Kryesisë dhe Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste u vendos që Ulsi Manja do të jetë kryetar i Komisionit të Ligjeve, Erion Braçe kryetar i Komisionit të Ekonomisë, Ermonela Felaj kryetare e Komisionit të Sigurisë, Mimi Kodheli kryetare e Komisionit të Politikës së Jashtme dhe Eduard Shalsi kryetar i Veprimtarisë Prodhuese. Ndërkohë, Milva Ekonomi do të jetë nënkryetare e Komisionit të Arsimit, Elisa Spiropali do të jetë nënkryetare e Komisionit të Shëndetësisë dhe Blendi Çuçi, nënkryetar i Komisionit të Integrimit.