Barcelona ka rikthyer ish-lojtarin e saj legjendar Ronald Koeman për të zëvendësuar Quique Setien.
Edhe një herë klubi katalanas tregoi lidhjen shpirtërore me holandezët, mbi trashëgiminë që la aty legjenda Johan Krujf.
Ronald Koeman zuri sot vendin e spanjollit, i cili u shkarkua për ecurinë e dobët të sezonit 2019/20, sidoemos pas humbjes turpëruese me Bayern.
Koeman ka lënë rolin e tij si trajner i Holandës dhe ka nënshkruar një marrëveshje dy-vjeçare.
Lojtari që dikur emociononte tifozët, kur shënonte nga mesi i fushës, e di se çfarë duhet për të fituar në klubin katalanas.
Ai aty ka ngritur disa tituj – përfshirë Champions në vitin 1992, kur shënoi golin e fitores në finale.
Koeman luajti për Blaugrana midis viteve 1989 dhe 1995.
Përpara punësimit të Koeman, Barcelona konsideroi si alternativë edhe Mauricio Pochettino.
Por në fund të fundit klubi katalanas zgjodhi holandezin, duke treguar edhe një herë lidhjen e ngushtë me tulipanët.
Detyrë e parë e Koeman është që të gjejë harmoninë mes yjeve të skuadrës si Messi e Suarez, pas humbjes 8-2 me Bayern.