Pas 27 vitesh burg Zhang Yuhuan u provua i pafajshëm, ndonëse kishte kaluar gjysmën e jetës së tij pas hekurave, i akuzuar pa të drejtë për vrasjen e dy djemve të rinj.
Historia e trishtë vjen nga Kina, nga rajoni i Jiangxi, ku burri u burgos padrejtësisht për 9.778 ditë. Zhang, 52 vjeç, pretendon se në vitin 1993 policia e torturoi deri në atë pikë, sa që e detyroi që të pranojë një krim të cilin nuk e kishte kryer.
Zyrtarët publikë të cilët e rihapën çështjen, provua se rrëfimi i tij nuk përkonte me krimin. Menjëherë pas lirimit të ndodhur këtë të martë, burri përqafoi nënën 83 vjeçe dhe ish-gruan e tij.
Kjo e fundit, Song Xiaonyu ka dy fëmijë me Zhang, ndërkohë që u divorcua me të 11 vite më parë. Gruaja u rimartua, por pavarësisht kësaj vijoi ta mbështeste ish-bashkëshortin në përballjen e tij me drejtësinë.
Tashmë nëpërmjet avokatit të tij, 52-vjeçari po kërkon dëmshpërblim për dënimin e padrejtë.
Kalvari i Zhang nisi në tetor të vitit 1993, kur trupat e dy të rinjve u zbuluan në një fshat në Jinxian. Burri ishte fqinj i viktimave dhe ai ishte i dyshuari kryesor.
Në janar të vitit 1995, një gjykatë në Nanchang e shpalli fajtor dhe e dënoi me vdekje, por nga ankimimi i vendimit, u dënua me burgim të përjetshëm, shkruan noa.al.
Kthesa e bujshme ndodhi në mars 2019, kur Gjykata e Lartë e rihapi çështjen, kur më në fund u provua pafajësia e Zhang. Megjithatë vrasësi i dy të rinjve, nuk është gjetur ende. /noa.al