Loading...

Meta: Politika të marrë shembull nga harmonia fetare

Presidenti i Republikës, Ilir Meta me rastin e festës së shenjtë të Kurban Bajramit, vizitoi sot selinë e Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve ku së bashku me krerët e bashkësive fetare shqiptare katolike dhe ortodokse, uroi Kryegjyshin Botëror, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.

Duke u përcjellë urimet më të mira e të përzemërta të gjithë besimtarëve myslimanë e bektashianë, si dhe mbarë popullit shqiptar, Kreu i Shtetit theksoi: “Urimet më të mira për të gjithë besimtarët dhe qytetarët tanë, sepse kjo është një ditë shumë e rëndësishme vëllazërimi që na fton të bëjmë sakrifica për ta forcuar këtë solidaritet”.

“Falenderim për udhëheqësit tanë fetarë për mesazhet e mençura dhe harmoninë që ata e kanë mbrojtur dhe pasqyruar në mënyrë të vazhdueshme, duke bërë çdo gjë për të mbajtur qytetarët tanë të bashkuar rreth vlerave më të mira njerëzore, kombëtare, por edhe europiane. Uroj që edhe politika të mësojë, të marrë këtë shembull të frymës së mirëkuptimit, të bashkëpunimit, të interesave më të mëdha qytetare. Jam i sigurt se populli do të udhëhiqet nga kjo harmoni që frymëzojnë këta udhëheqës të nderuar, të cilët bëjnë një punë të jashtëzakonshme për të edukuar qytetarët, në veçanti fëmijët dhe të rinjtë me vlerat më të mira hyjnore, njerëzore, qytetare dhe atdhetare”, tha ai.

Po ashtu, Meta shtoi se “njëkohësisht sot është një ditë e rëndësishme për t’u angazhuar të gjithë së bashku për atë qëllim madhor, që ka populli dhe vendi ynë: anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe për të hequr sa më shpejt çdo pengesë që e frenon këtë ëndërr të jashtëzakonshme për t’u materializuar. Kjo është e vetmja rrugë që të rinjtë të mos na ikin, por edhe ata që kanë ikur të kthehen, ashtu siç shprehu besimin e tij Papa Françesku gjatë vizitës së tij të parë në Tiranë që ‘shqiponjat do të kthehen në folenë e tyre!” /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com