Loading...

Opozita e Bashkuar: Hapja e listave, lojë vetëm për të dëmtuar koalicionin opozitar

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi dhe dy përfaqësuesit e Opozitës së Bashkuar në Këshillin Politik, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili, në një konferencë të përbashkët deklaruan se hapja e listave për Ramën ishte lojë vetëm që të ndryshojë kushtetutën dhe të dëmtoje koalicionin opozitar.

Në deklaratë, thuhet se Opozita e Bashkuar ka bërë një hap të madh përpara për të arritur konsensus mes të gjitha forcave politike për disa çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me zgjedhjet.

“Opozita ka propozuar dje që palët të bien dakord për të hapur listat 100%, pa kufizime, duke mbajtur në fuqi koalicionet parazgjedhore dhe shpërndarjen e mandateve, siç është aktualisht në fuqi. Ky është një qëndrimi i përhershëm i opozitës. Ne kemi qenë gjithmonë të hapur për të bërë një diskutim transparent dhe gjithëpërfshirës për gjithçka në lidhje me zgjedhjet. E kemi bërë të qartë që nga fillimi që prioriteti i Shqipërisë dhe shqiptarëve, dhe i Opozitës së Bashkuar, është garantimi i votës së lirë të qytetarëve, garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, thuhet në deklaratë.

Po ashtu, në deklaratë thuhet se “Ishte Edi Rama që si publikisht, ashtu edhe në Këshillin Politik, refuzonte të diskutonte këtë temë. Ishte Edi Rama që refuzonte listat e hapura dhe ishte kundër tyre. Sepse çdo lëvizje e Edi Ramës është e motivuar nga frika e zgjedhjeve dhe humbjes së pushtetit të tij. Objektivi i tij, njëlloj si këto 4 vite pa reshtur, ishte të ndalojë Opozitën e Bashkuar të konkurrojë në zgjedhje e bashkuar si koalicion. Për këtë qëllim, Edi Rama paraqiti në Kuvend, në mënyrë të njëanshme, një amendament kushtetutës që heq koalicionet parazgjedhore si subjekt zgjedhor. Fillimisht, ai përdori alibinë e mungesës së 84 votave për të miratuar Marrëveshjen e 5 Qershorit. Edi Rama doli publikisht në mbështetje të heqjes së koalicioneve dhe gjoja hapjes gjysmake të listave vetëm një ditë pasi 6 deputetë deklaruan votën pro Marrëveshjes së 5 Qershorit dhe realizuan kuorumin e duhur për marrëveshjen. Pas kësaj, Edi Rama u fsheh pas mashtrimit se listat e hapura dhe koalicionet parazgjedhore nuk shkojnë bashkë me njëra-tjetrën”.

Në deklaratë theksohet se “Opozita e Bashkuar ka propozuar dje hapjen 100 % të listave. Por vota e qytetarëve nuk ka rëndësi për Edi Ramën. Të gjithë shqiptarët e kanë kuptuar nuk është hapja e listave, por ndalimi i koalicioneve parazgjedhore”./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com