Stina e dimrit pritet të përkeqësojë situatën e koronavirusit. Pandemisë pritet t’i mbivendosen virozat e stinës, duke e vënë sistemin shëndetësor para një vështirësie të pazakontë.
Shefi i laboratorit të Epidemiologjisë, Andi Koraqi, deklaron se virozat e stinës në dimër do ta rëndojnë situatën.
“Periudha e dimrit do të jetë më e vështirë. Përveç Covid-it, janë edhe virozat e stinës. Ne kemi pasur gjithnjë probleme, sivjet shtohet edhe SarsCov2 dhe popullsia është e pambrojtur”, tha ai.
Lidhur me shkallën e përhapjes së virusit gjatë muajve të verës, Koraqi tha se përvoja me virusin e ri ka treguar që nuk mund të jesh i saktë në parashikime.
“Nuk mund të bëjmë parashikime. Por duhet parë, sepse të gjithë do të largohen nga Tirana, do të ulen kontaktet. Por kjo mbetet për t’u parë. Ky është një virus i ri dhe është e vështirë të bëhen parashikime. Atje ku do të shkojnë, është në dorën e qytetarëve të distancohen dhe të mbrohen”, u shpreh mjeku.
Koraqi tha më tej se mbyllja gjatë muajve të pranverës mbajti efektiv kapacitetin spitalor, por nëse ky i fundit rrezikohet për shkak të numrit të lartë të rasteve të reja, nuk përjashtohet një mbyllje e dytë.
Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!