Loading...

Flet Drejtori I ISSH:Si Ndryshojne Kontributet Per Pensionistet Qe Punojne.

Pensionistët, të cilët janë të punësuar në sektorin privat nuk do të derdhin më kontribute të sigurimeve shoqërore”.
Lajmi për “Gazeta Shqiptare” bëhet me dije nga drejtori i përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado, pas mbledhjes së Këshillit Administrativ të institucionit që ai drejton.

Sipas Hados, me këtë vendim “është reflektuar akti normativ i qeverisë, për këta pensionistë, që ndonëse iu ishte llogaritur pensioni vijonin të derdhnin kontribute për punën që bënin në sektorin privat”. Nga ana tjetër, Hado thotë se ISSH është në pritje të miratimit të pagës së re minimale në shkallë vendi, e cila pritet të shkojë në 24 mijë lekë, nga 22 mijë lekë që është aktualisht. Ne jemi në pritje të miratimit të pagës minimale. “Në momentin që do të miratohet nga qeveria, automatikisht do të reflektohet edhe te kontributet shoqërore”.

Invalidët

Ndërkaq, një tjetër vendim i marrë nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka të bëjë me invalidët e pjesshëm, të cilët janë në marrëdhënie pune. Sipas kreut të ISSH, përveç pagës, ata do të trajtohen edhe me pagesë invaliditeti. “Për invalidët e pjesshëm të punësuar në sektorin privat është saktësuar pjesa e pagesës së invaliditetit. Vendimi i Këshillit Administrativ parashikon faktin që invalidët e pjesshëm, që punojnë 8 orë punë të lehtë, ose 6 orë do të marrin edhe pagën, edhe përfitime nga sigurimet shoqërore”, – u shpreh Hado. Në muajin dhjetor të vitit të kaluar, ISSH mori një tjetër vendim për këtë kategori të punësuarish.

Sipas këtij vendimi parashikohej falja e debive të krijuara si pasojë e punësimit.  Pas miratimit të këtij vendimi, përfaqësues të ISSH-së shpjeguan në atë kohë për “GSH” arsyet e marrjes së tij. “Këta persona, megjithëse në kohën e komisionimit kanë sjellë dokumente që punojnë me kohë të pjesshme, nga kontrolli që është bërë tani, ka rezultuar që këta persona kanë marrë pension të pjesshëm invaliditeti dhe ndërkohë kanë marrë dhe pagën e plotë. Nga studimi që i është bërë kësaj kategorie është konstatuar se ka arsimtarë që punojnë në fshatra që nuk e kanë normën e plotë në arsim, pavarësisht se rrogën e marrin të plotë. Këta persona duhet të deklarohen se marrin rrogë për 6 orë, por faktikisht këtu kemi përplasjen që ai është invalid dhe duhet të marrë pensionin e invaliditetit, por edhe rrogën sepse punon.

Faktikisht, jemi në kushte kur përdorim fonde publike dhe natyrisht që fondet publike janë të harmonizuara me njëri-tjetrën. Kjo masë, duke u kthyer dhe në ligj ndihmon këta persona që t’iu shkarkojë debitë e momentit, por ama krijon edhe një precedent që ndihmon këtë kategori, por që nuk duhet të përsëritet në të ardhmen”, – thanë përfaqësuesit e ISSH në atë kohë.


Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com