Me vendim të qeverisë shqiptare nga sot do të ndalohen klubet e natës, diskot, lounge bar dhe çdo lloj shërbimi të kësaj natyre. Njoftimi është dhënë nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu.
Ky vendim, sipas Manastirliut, vjen pasi është konstatuar që në këtë periudhë, klubet e natës janë kthyer në vendgrumbullime të rinjsh, ku injorohet dhe sfidohet totalisht zbatimi i masave të domosdoshme, për parandalimin e përhapjes së Covid-19, duke i shndërruar në vatra potenciale infeksioni.
Manastirliu u duk goxha e nxehur me djemtë e vajzat që dalin natën, kur e quajti veprimin e tyre sfidë dhe theksoi se qeveria po i sfidon ata duke i vënë nën frena që sot me vendim special.
“Ndërsa vihet re në javën e fundit, një rritje e ndërgjegjësimit të qytetarëve, e respektimit më të mirë të masave të distancimit social, si dhe përdorimit të maskave, pas miratimit të Aktit Normativ nga qeveria shqiptare, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për klubet e natës, diskot apo mjedise të tjera si këto.
Kemi konstatuar që në këtë periudhë, ato janë kthyer në vendgrumbullime të rinjsh, ku injorohet dhe sfidohet totalisht zbatimi i masave të domosdoshme, për parandalimin e përhapjes së Covid-19, duke i shndërruar në vatra potenciale infeksioni.
Të rinjtë dhe personat që frekuentojnë këto mjedise, në kushte të papranueshme për një kohë Pandemie, bëhen kështu në bartës të virusit, në dëm të të afërmve dhe më të moshuarve.
Qeveria Shqiptare ka vendosur që nga sot, t’i thotë stop kësaj sfide që u bëhet rregullave të vendosura për të frenuar pandeminë, me qëllim uljen e numrit të infeksioneve, mbrojtur shëndetin e qytetarëve dhe jetën e më të dobtëve mes nesh”, tha Ministrja.
Me vendimin e Qeverisë, nga sot hyn në fuqi Akti Normativ i cili: Ndalon hapjen e klubeve të natës, diskove, lounge barve dhe çdo lloj shërbimi të kësaj natyre në mjedis të mbyllur apo të hapur, përveç restoranteve.
Mosrespektimi i këtij detyrimi nga subjektet, dënohet me gjobë 3,000,000 lekë dhe me pezullim të aktivitetit për një periudhë një vjeçare.
Sipas këtij akti, ndalohet muzika pas orës 20.00 në të gjithë mjediset e shërbimeve të çfarëdolloji.
“Mosrespektimi i këtij detyrimi nga subjektet, dënohet me gjobë 1,000,000 lekë dhe në rast përsëritje, me pezullim te aktivitetit për një periudhë gjashtë mujore”, bëri të ditur Manastirliu.
Manastirliu në komunikimin e saj ka bërë apel qytetarëve që të zbatojnë masat e vendosura dhe të përshtaten me normalitetin e ri si e vetmja mënyrë për të mbrojtur veten dhe të afërmit tanë.
“Prioriteti ynë Nr.1 është mbrojtja e jetës së qytetarëve. Me vetëm këtë prioritet në mendje, do të marrim të gjitha masat e nevojshme”, tha Ministrja e Shëndetësisë.
Manastirliu ka apeluar për zbatimin rigoroz të masave të distancimit social, higjenës vetiake, përdorimit të maskës, dhe çdo lloj mase tjetër që autoritetet shëndetësore rekomandojnë për mbrojtjen e shëndetit.
Vendimi i qeverisë vjen menjëherë pas dy incidenteve të dhunshme, një në lokalin e njohur të Jalës dhe tjetri në mes të ish Bllokut me djemtë e biznesmenëve dhe pronarëve të pallateve e ish deputetëve.
Disa thonë se ora 20.00 e ndaljes së muzikës është vetëm hapi i parë i mbylljes në këtë orë edhe të të gjitha lokaleve ditët në vijim.
/noa.al/