Loading...

Ndahet nga jeta ikona e Estradës së Fierit, aktori Fuat Boçi

Aktori i njohur, Fuat Boçi është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare.

Rrugën e artit Boçi e nisi që në moshë të re dhe është një nga themeluesit e Estradës së Fierit më 1957.

Ai ka lindur në Voshtinë në vitin 1931, por në vitin 1938 familja e tij do të shpërngulej në Fier, qytet në të cilin Boçi do të niste rrugën e artit që në moshë të re.

Nga një artist amator, Boçi do të shënonte sukseset në karrierën e tij në skenë në teatrin “Bylis” të Fierit.

Pjesëmarrës në rreth 160 premiera dhe duke u ngjitur në skenë me mbi 600 role, aktori Boçi është vlerësuar me titujt “Artist i Merituar” dhe “Qytetar Nderi” i qytetit të Fierit.

Ndër rolet e tij më të spikatura dhe që kanë mbetur edhe në mendjen e artëdashësve shqiptarë janë Lipe Shtogu, Belul Gjeraqina dhe Llazi.

Boçi mbetet i dashur për publikun edhe në rolet e “Zenelit” te komedia “Pas vdekjes” e Çajupit, dajos te komedia “Shi në plazh”, Sotiri te komedia “Një budalla e gjysmë” etj.

Presidenti Ilir Meta ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të aktorit të spikatur të humorit shqiptar, njërit prej artistëve më të dashur të Fierit, Fuat Boci, i cili do të mbahet mend përherë për rolet gazmore, skeçet dhe paroditë, nëpërmjet të cilave stigmatizoi me mençuri e talent të rrallë plagët sociale të shoqërisë shqiptare.

“Me mbi 600 role në skenë, Fuat Boci u bë proverbial dhe shumë i dashur për publikun veçanërisht me monologun tek skeçi “Doni më për Belulin?”, si dhe falë intepretimeve mjeshtërore për të cilat meritoi respektin dhe duartrokitjet e shumë gjeneratave.
Duke ndarë dhimbjen e thellë për humbjen e këtij artisti të madh, i përcjell ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe të gjithë komunitetit të artistëve shqiptarë, veçanërisht qytetarëve të Fierit e të mbarë trevës së Myzeqesë që aq shumë e donte”, shprehet Meta.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të aktorit Boçi.
“U nda prej nesh një nga aktorët më të dashur të humorit, që la vulën e vet jo vetëm në Estradën dhe Teatrin e qytetit të Fierit, por në artin kombëtar të së qeshurës. Me aftësinë për të kapur edhe ngjyrimet më të holla të karakterit, Fuat Boçi hyri natyrshëm në çdo shtëpi shqiptare. Arti i tij do të mbetet i pavdekshëm, duke na dhuruar përherë gëzim.
Lamtumirë! U prehsh në paqe”, shprehet Margariti. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com