Sekretar i Përgjithshëm i PS-së, Taulant Balla ka shprehur vlerësime për kontributin e veteranëve të luftës në “Ditën e Veteranëve” duke i konsideruar si vlera europiane.
Balla shprehet se “ sot më 20 Korrik në “Ditën e Veteranëve” dua t’i shpreh Organizatës së Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare vlerësimin tonë më të lartë për kontributin që ka dhënë dhe vazhdon të japë në mbrojtjen, përhapjen dhe edukimin te brezat e rinj të idealeve e vlerave antifashiste, përpjekjeve e sakrificave të popullit shqiptar në Luftën e Dytë Botërore”.
“Këto vlera qëndrojnë në themel të Shqipërisë sonë europiane. Një komb që nderon çlirimtarët e vet, është një komb i emancipuar. Le ta tregojmë emancipimin tonë duke nderuar e respektuar Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, dëshmorët e heronjtë e kombit dhe familjet e tyre, veteranët e Luftës dhe pasardhësit e tyre”, shprehet ai.
Po ashtu, Balla shton se “për shkak të pandemisë urimet me drejtuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare i shkëmbyem përmes telefonit. Gëzuar Ditën e Veteranëve” . /atsh