Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj shprehet i sigurt se mazhoranca do të fitojë edhe mandatin e tretë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Duke folur për emisionin “Pa protokoll” në Report tv, kryebashkiaku Veliaj deklaroi se Rama do të arrijë një tjetër fitore në 2021 për të vijuar bashkëpunimin edhe me pushtetin vendor.
“Unë mendoj se Edi Rama do të fitojë më thellë në zgjedhjet e ardhshme sepse mendoj se puna titanike për menaxhimin e pasojave të tërmetit, s’besoj se ka nevojë për fushatë. Unë mendoj për fitoren që të kemi një superfitore. Unë jam në këtë punë deri në vitin 2023. Edi Rama do ta fiillojë mandatin e tij në 2021 dhe do ta mbarojë në 2025. Për fitoren këtu nuk diskutohet që PS është forcë e parë. Ne do të synojmë 71 që është fitorja minimale apo 74- 75 që është fitorja komode. Jo komode për të qenë Edi Rama rehat, por komode për punë. Bovilla nuk do ishte inauguruar dje nëse ne do të ishim me atë koalicion që mua më tradhëtoi ditën kur ne miratonim atë investim”, tha Veliaj.
Duke folur për projektet në Bashkinë e Tiranës, Veliaj deklaroi se, në zonat me 24 orë ujë do nisë çmontimi i depozitave.
Veliaj tha se, sot 62 % e Tiranës furnizohet me ujë 24 orë dhe në këto zona do të nisë dhe çmontimi i depozitave në pallate.
“Kur unë mora bashkinë asnjë lagje nuk kishte ujë 24 orë. Sot ka 62% e Tiranës si Xhamlliku, rruga e Durrësit, Tregu çam, Myslym Shyri, Tirana e Re e shumë të tjera. Në zonat ku ka 24 orë ujë do të filloj pak nga pak dhe çmontimi i depozitave në pallat. Zonat e tjera që nuk kanë ujë 24 orë kanë një përmirësim në 15-16 orë furnizim me ujë”, tha Veliaj.
Sa i përket transportit urban, Veliaj tha se rritja e çmimit të biletës së autobusit me 10 lekë bëri që flota e tyre të shtohet me 50 %.
“Kemi pasur në Tiranë 200 autobusë me 30 lekë dhe sot kemi 300 autobusë me 40 lekë pra kemi një rritje të flotës me 100 mjete”, tha ai.
Veliaj tregoi edhe sesi se si po përballohet situata me pandeminë dhe projektet e reja për kryeqytetin.
Veliaj tha se në lidhje me pandeminë Bashkia ka bërë gjithçka që qytetit të mos i mungojë asgjë duke u adaptuar me situatën e re.
“Pandemia ka një kosto të paevitueshme si shtim i pastrimit, dezinfektimit, shtim i kostove për maskat e doreza në institucionet që në menaxhojmë, një ndryshim i buxhetit kur bëhet fjalë për të ardhura që prisje nga turistët, një situatë e vështirë. Çdo fundjavë bëhet dezinfektimi në kopshte e çerdhe që të jenë gati për javën kur rikthehen fëmijët. Tashmë kjo u bë një praktike punë dhe po adaptohemi dhe krahasuar me fillimin, tani po bëhet pjesë e një rutine. Për buxhetin është dashur që të shtyjmë disa investime në një apo dy rrugë dhe se shpenzimet janë fokusuar më shumë tek dezinfektimi dhe çështjet që lidhen me pandeminë. Kostoja ndryshon sa herë shtyhet pandemia dhe çdo gjë është në vazhdim, duhet të presim fundin e vitit për të bërë faturimin e saj. ndryshime dhe reflektime në buxhetë ka pasur vazhdimisht në varësi të situatës me pandeminë, por ndihem mire që qytetit nuk i ka munguar asnjë nga shërbimet”, tha Veliaj./atsh