Shqipëria e 19-vjeçarëve është duke zhvilluar grumbullimin e parë për vitin 2020, kjo ndikuar nga pandemia Covid-19, që nuk i ka dhënë mundësi trajnerit Dede të shikoj të gjithë skuadrën në vazhdimësi drejt eliminatoreve të muajit tetor që do të zhvillohen në Republikën Çeke.
Grumbullimi i parë ka brenda vetes dhe emocione të mëdha, të cilat disa prej lojtarëve i kanë rrëfyer për fshf.org. Usni Ismaili, mbrojtësi nga Manastiri që luan për Pelisterin, nuk i ka fshehur emocionet.
“Jam shumë i lumtur që mora ftesën nga skuadra kombëtare këtë vit dhe shpresoj që të shkojmë shumë mirë. Jam ndjerë shumë mirë me djemtë e tjerë dhe trajnerin Dede. Grumbullimi po shkon shumë mirë dhe do të testohemi ditën e sotme ndaj Apolonisë. Stërvitjet po ecin mirë dhe të gjithë janë duke dhënë maksimumin. Ëndrra ime është të bëhem një lojtar i madh dhe të luajë për Kombëtaren A. Një mesazh për moshatarët e tu? Të gjithë duhet të japin maksimumin për të arritur në këtë grumbullim”, përfundoi prononcimin e tij Ismaili, që theksoi se frymëzohet nga Dani Karvahal dhe një ditë dëshiron të ecë në hapat e tij.
I kënaqur nga ky grumbullim stërvitor me U-19 shfaqet dhe Andri Stafa, që luan për Tiranën. “Deri më tani stërvitja po shkon shumë mirë. Të gjithë lojtarët ndihen mirë në këtë grumbullim, asnjë nuk ka dëmtime dhe po japim maksimumin. Jam shumë i kënaqur që përfaqësoj kombëtaren e moshave dhe ëndrra ime është që të arrij në Kombëtaren A. Të gjithë moshatarët e mi duhet të punojnë fort, sepse me punë arrihet gjithçka. Nëpërmjet punës së madhe mund të arrihet edhe ekipi kombëtar”.
Për herë të parë në skuadrën kombëtare vjen Mario Mërkuri, që luan për Butrintin e Sarandës. “Kjo është hera e parë që jam i grumbulluar me ekipin kombëtar dhe ndihem shumë i emocionuar. Stërvitjet po shkojnë shumë mirë, çunat të gjithë janë në rregull dhe stërvitemi maksimalisht për të dhënë më të mirën. Ëndrra ime është të luaj me një ekip të madh dhe të vesh një ditë fanellën e ekipit kombëtar. Unë dua ti dërgoj një mesazh të gjithë moshatarëve të mi, që të punojnë fort ditë pas dite për të bërë realitet ëndrrat e tyre”./atsh