Loading...

Marrëveshja e 5 qershorit nuk preket në asnjë pikë të saj

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “marrëveshja e 5 qershorit nuk preket në asnjë pikë të saj”.

Në fjalën e tij në Kuvend, duke iu drejtuar deputetëve të opozitës parlamentare Kryeministri Rama tha se “më lejoni t’iu jap një mesazh të qartë të gjithëve ju duke filluar nga i palodhuri prej një tranzicioni të gjatë ku shpesh herë ka qenë viktimë e keqadministrimit zgjedhor, Myslym Murrizi dhe deri tek deputeti i fundit jo për nga rëndësia ai i opozitës parlamentare. Nuk mund t’i merrni të gjitha, nuk mund t’i kërkoni të gjitha dhe të gjithë së bashku duhet të bëjmë lëshimet tona. Po ua them sot që të jemi shumë të qartë është e pamundur që ne të votojmë së bashku me ju në rast se ju nuk votoni së bashku me ne dhe për ne marrëveshja e 5 qershorit nuk preket në asnjë pikë të saj”.

“E them këtë duke e përsëritur edhe këtu, mua marrëveshja e 5 qershorit nuk më pëlqen dhe për mua ajo ka një problem të madh që ne nuk kemi arritur dot të adresojmë rekomandimin kryesor të OSBE-ODIHR, që është një rekomandim i përsëritur thuajse në të gjitha raportet, pas të gjitha zgjedhjeve depolitizimi i administratës zgjedhore. Ju e dini shumë mirë që ne kemi qenë vijimësisht këmbëngulës dhe madje kemi thënë që ne do ta bëjmë depolitizimin do apo nuk do Partia Demokratike, por ajo që e dallon sistemin demokratik dhe bashkëjetesën pluraliste nga një sistem u vendos vetëm një parti është që duhet edhe të tërhiqesh, të bësh kompromise edhe të pranosh çka nuk të pëlqen për hir të një interesi më të madh”, – theksoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “zonja Hajdari ka firmosur në Këshillin Politik dhe ka dhënë argumentet e saj dhe e di shumë mirë si dëshmitare okulare, pasi Damiani nuk është i besueshëm për Myslymin dhe për ju, nuk po e sjell këtu si dëshmitar, që deri në fund marrëveshja është penguar nga mosdakordësia pikërisht për këtë pikë dhe në fund pasi topi shkoi në fushën e Lulzim Bashës u kthye me një kusht që mund ta kishte hedhur në erë marrëveshjen nga ana e Lulzim Bashës që donte me çdo kusht që gjërat të mos të ndryshonin edhe pse faktikisht duke thënë le t’i lëmë gjërat siç janë se janë më mirë se çdo gjë tjetër ka thënë që gjithçka për të cilën ai ka luftuar, ka qenë një teatër dhe nuk kuptohet edhe pse iku nga parlamenti edhe pse gjërat paskan qenë në rregull dhe nuk kanë nevojë për ndryshime”.

“Lulzim Basha pretendon se ne pranuam këtë sepse na i futën këmbët në një këpucë. Unë vërtet këpucën e djathtë e kam 46, por këmbën e majtë nuk ma nxë. E vërteta është që ne bëmë një lëshim shumë të madh, jo sepse ne nuk kishim rrugë tjetër, por sepse kjo ishte rruga më e mirë për ta përshirë PD dhe opozitën jashtëparlamentare në procesin politik dhe është një motiv që të gjithë të kuptojmë që PS dhe unë personalisht nuk kemi një qasje autoritariste. Ishte rasti për të bërë të kundërtën nëse do ishim të tillë dhe të thoshim kush kush jeni ju, ju nuk jeni në parlament, nuk përfaqësoni askënd tjetër përveç vetes dhe rrugës tuaj të rrugës, ne nuk u njohim”, – tha Rama.

Por, shtoi Kryeministri, nga pikëpamja institucionale do ishim korrekt, por nga pikëpamja politike dhe nga këndvështrimi ynë demokratik për jetën tonë politike nuk do të ishim korrekt sepse PD është një realitet politik pavarësisht se nuk është pjesë e realitetit të sotëm parlamentar.

Duke iu drejtuar deputetëve të opozitës, Rama tha se “keni kohë të reflektoni, të kuptoni që të dyja janë të lidhura bashkë marrëveshja e 5 qershorit dhe marrëveshja për të pranuar legjitimitetin e nismës suaj, e cila për hir të vërtetës ka mbështetjen e një shumice të madhe shqiptarësh. Ne nuk e kemi pranuar se duam t’iu bëjmë juve qejfin, por e kemi pranuar se është e drejtë”./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com