Deputetja e opozitës, Rudina Hajdari tha sot në Kuvend se “Gjermania nuk duhet të na na kthejë kurrizin në këtë betejë për listat e hapura”.
Duke folur në Kuvend për ndryshimet kushtetuese, Hajdari tha se kohët e fundit na ka shqetësuar një ndërhyrje që ka ardhur nga vendi më i fortë i BE-së, Gjermania.
“Mbrëmë e informova anëtarin e CDU-së, për situatën në Shqipëri. E informova sepse është e rëndësishme që Gjermania të mos na lërë në baltë ndërkohë që ne si opozitë parlamentare, që i kemi shërbyer vendit për proceset integruese të Shqipërisë në momentet më delikate duke qëndruar në parlamentin shqiptar, tani është momenti që të gjithë të na mbështesin në këtë betejë të madhe që kemi përpara, hapjen e listave, e cila në fakt thellon demokracinë e shteti shqiptar. Kam besim te BE, te fryma perëndimore e shteteve aleate të cilët në momentin që ne qëndruam në parlament e përshëndetën vendimin tonë, sot ka ardhur koha të dëshmojnë mbështetjen për këtë opozitë parlamentare. Tashmë ato janë përballë dy zgjedhjeve. Nëse kjo opozitë parlamentare nuk ka vend dhe rëndësi, atëherë hajde ikim të gjithë, sillemi njësoj se ata që janë jashtë. I marrim këto mandate dhe dalim dhe mos votojmë asgjë. Nëse këtu në Kuvend kërkohet vota jonë atëherë duhet të jemi të vetëdijshëm se opozita parlamentare në këtë vend ka votat e saj solemne dhe nuk ka për t’i çuar dëm”, tha Hajdari.
Ajo shtoi se sot ka ardhur koha që shqiptarët të zgjedhin midis tre kryetarëve dhe midis atyre kandidatëve që do dalin para shqiptarëve.
“Hapja e listave nuk është çështja e disa individëve. Këto ndryshime kushtetuese nuk janë çështje që bëhen në mënyrë të njëanshme siç pretendohet sepse pa luftën tonë dhe shumë njerëzve jashtë Kuvendit për të ngritur zërin dhe hapur lista, besoj se kjo betejë nuk do shkonte në këtë pikë”. /atsh