Loading...

“I papranueshëm reagimi i opozitës jashtëparlamentare dhe i opozitës presidenciale”/ Hapja e listave, pa cenuar asnjë presje nga marrëveshja e 5 qershorit

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “ne do ta diskutojmë me opozitën parlamentare detajimin e nismës kushtetuese dhe integrimin e saj në Kodin Zgjedhor pa cenuar asnjë pikë e presje nga çka do të integrohet si fryt i marrëveshjes me opozitën jashtëparlamentare”.

“Sot Komisioni i Ligjeve ka votuar fjalë për fjalë draftin e dakordësuar me opozitën jashtëparlamentare në 5 qershor. E kemi votuar me shumicë, jo me konsensus sepse opozita parlamentare refuzon të pranojë mosdepolitizimin e komisioneve të votimit dhe të numërimit, që është lëshimi i madh i bërë nga PS, jo me hirin e objektivave të veta, por me pahirin e një nevoje për ta përfshirë opozitën jashtëparlamentare në proces”, tha Rama.

Ndërkohë, kryeministri theksoi se “dje Komisioni i Ligjeve i ka hapur rrugë pjesëmarrjes së qytetarëve jo vetëm në zgjedhjen e partive si deri më sot, por edhe në dhënien e pëlqimit për deputetin ose deputeten, pa rrezikuar një arritje madhore të PS-së në radhë të parë por edhe forcave të tjera politike, përfaqësimin e grave e vajzave në Kuvend. Kjo nismë kushtetuese ka pasur konsensus të plotë me opozitën parlamentare në votimin e djeshëm”, tha Rama.

Ai tha se “faktikisht jemi në mes si shumicë qeverisëse dhe si Parti Socialiste, të dy palëve me të cilat kemi konsensus të plotë për atë që këto palë më vete duan dhe s’kemi konsensus për atë që palët më vete nuk duan”.

“Ndërkohë, reagimi i opozitës jashtëparlamentare dhe i opozitës presidenciale ndaj kësaj nisme kushtetuese të Kuvendit të Shqipërisë është i papranueshëm, qoftë në aspektin etik, qoftë në aspektin politik, qoftë në aspektin kombëtar. Sepse, unë e di dhe gjithë populli e di që as opozita jashtëparlamentare, as opozita presidenciale nuk e vlerësojnë dhe as e respektojnë Kuvendin e Shqipërisë, parlamentin e vendit. Por kjo nuk e ndryshon faktin që parlamenti i vendit, Kuvendit i Shqipërisë është sovran. Në aspektin etik nuk është e denjë që Kuvendi i Shqipërisë të sulmohet, të anatemohet, të përbuzet, qoftë nga një institucion si institucion i Presidentit të Republikës. Këtë e them në radhë të parë sepse etika institucionale është baza e shkruar në çdo paragraf të parë të kapitullit të parë të çdo edukate shteti. Dhe qoftë nga vetë opozita jashtëparlamentare, e cila zgjodhi ta braktisë Kuvendin me vullnetin e vetë të lirë, ta zhvlerësojë Kuvendin me vendimin e vetë sovran”, tha Rama.

Sipas tij, opozita jashtëparlamentare mund të zgjedh edhe ta përbuzë Kuvendin, por përtej kësaj asgjë tjetër nuk mund të bëjë dhe asgjë nuk e shlyen nga përgjegjësia që ka lidhur em ata të cilët sot janë deputetë të opozitës në parlament. “Nuk i kam sjellë unë, as Taulant Balla, as PS, por i ka sjellë opozita jashtëparlamentare me firmën dhe vulën e drejtuesve të saj. Janë zgjedhja e tyre dhe ne nuk na mbetet veçse ta respektojmë çdo deputet të Kuvendit në radhët e opozitës”, tha Rama.

Rama tha se “Parlamenti është sovran dhe mbi parlamentin nuk është askush dhe nuk mund të dalë askush”. “Sot PS, shumica qeverisëse, ka konfirmuar edhe një herë seriozitetin e plotë në zbatimin e marrëveshjes së nënshkruar në 5 qershor për të cilën falënderoj miqtë dhe partnerët tanë dhe personalisht ambasadoren e SHBA-së, atë të BE-së dhe atë të Britanisë së Madhe që u angazhuan drejtpërsëdrejti në lehtësimin e procesit dhe krijimin e kushteve për të zhvilluar atë dialog të vështirë”, tha Rama. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com