Loading...

Brataj: Rikthimi i masave shtrënguese, jo nëse respektojmë rregullat

Drejtorin e Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore në Tiranë, dr.Skënder Brataj, e takojmë në terren, gjatë një inspektimi në Vlorë.

Institucioni që ai drejton është një strukturë, e ideuar dhe krijuar prej tij, sipas modelit perëndimor, me standardet më të përparuara, në organizim dhe funksionim.

Kjo qendër, është edhe krenaria e dr.Bratajt, për të cilën ai është investuar maksimalisht, për të cilën la edhe investimin tjetër të jetës, pozicionin e nderuar në një nga institucionet spitalore më të njohura në Torino. Disa vite më parë, i mbërriti një ftesë dhe ai tha “po”. E tërhiqte vendi i tij dhe idea për të ndërtuar dhe përcjellë përvojë dhe projekte bashkëkohore.

Sot, ndihet krenar se, gjërat kanë nisur të funksionojnë ashtu siç duhet. Projekti i tij, Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore, është bërë realitet. Dy momente të rëndësishme, tërmeti i fundnëntorit të vitit të kaluar dhe Pandemia e Covid-19, provuan dhe vërtetuan se, kjo Qendër, ishte dhe duhet të jetë e tillë, një institucion që u përgjigjet nevojave për shërbime të urgjencës dhe emergjencës mjekësore, si edhe në çdo vend tjetër të zhvilluar.

Me të bashkëbiseduam për situatën aktuale epidemiologjike të COVID-19, e cila përshkruhet në intervistën e mëposhtme, kur, mjeku i njohur, përcjell opinionin institucional dhe atë personal, duke i mëshuar faktit se, mbi gjithçka qëndron kujdesi i vetë njerëzve për t’i thënë “Ndal” COVID-19.

Cila është situata aktuale epidemiologjike?

Situata aktuale epidemiologjike është në përkeqësim, rrjedhojë e lehtësimit të masave përkatëse të ndërmarra më parë për këtë qëllim. Kjo situatë përkon nga ana tjetër edhe me shfaqjen e pasojave të dëmtimit, të shkaktuar në muajin qershor. E dinim që do të kishte një rritje fiziologjike, si të numrit të të infektuarve, ashtu edhe të sëmurëve të shtruar në spital, por, jo në këto përmasa.

Nëse do të bënim një krahasim mes periudhës së karantinës dhe asaj aktuale, sa është rritja dhe cila është në vija të përgjithshme ndryshimi i tablove respektive?

Në momentin e karantinës, ose siç mund të shprehemi ndryshe, në momentin e parë, në muajin e parë, nuk ishte e nevojshme t’u thoshim njerëzve “rrini mbyllur”, sepse presioni, media, etj, kishin bërë punën e vet dhe njerëzit ishin shumë më të frikësuar se tani, shumë më në ankth se tani dhe për rrjedhojë, qëndronin të vetëizoluar me vullnet dhe ndërgjegje të plotë. Por, pas më shumë se 1 muaji, nisi të ndihej izolimi, problemet e tjera të natyrës ekonomike, shëndetësore e psikologjike, të cilat ndikuan në fillimet e kundërshtimit të karantinës. Gjatë kësaj periudhe, nga pikëpamja grafike infeksioni shfaqej me një kurbë të sheshtë me dhëmbëza të vogla, çka ishte edhe shumë normale. Pra, nuk kishte arsye të kërkohej piku, kur njerëzit ishin të mbyllur dhe s’kishte sesi të transmetohej virusi. Jo vetëm kaq, por edhe sëmundjet e tjera infektive, u pakësuan në minimum për shkak të izolimit. Kjo vërtetoi dhe tregoi më së miri se distancimi fizik është gjëja më efikase. Është e kuptueshme që, me lirimin e masave kurba e sotme të jetë e ndryshme. Kjo nisi të shfaqej veçanërisht pas 9 majit, pas 11 majit, apo më shumë akoma, pas 18 majit, që përkon edhe me momentet më kundërshtuese, më mosbesuese, kur pati edhe disa evente në vend. Dhe, situata e shfaqur në periudhën e qershorit dhe më pas, para 20 ditësh, kur nisi të spikaste më dukshëm fillimi i rritjes të të infektuarve, ishte rrjedhojë e mosrespektimit të masave gjatë muajit maj. Ndërsa, kjo që po shohim sot, është pasoja e mosrespektimit, pas fillimit të fundit të masave shtrënguese, që ishte 4 qershori.

Pra, ky numër me të infektuar, të shtruarish në spital, apo me terapi intensive, shoqëruar edhe me viktima, është pasojë e mosrespektimit të masave në qershor. Aktualisht, vdekshmëria po shkon në 2.8%, çka e përvijon më së miri, këtë që thashë.

Ju përmendët treguesin 2.8% të vdekshmërisë. Nëse do të bënim një krahasim me vendet e tjera të rajonit, si do ta përkufizonim këtë tregues, apo më tej edhe shkallën e infeksionit, në raport me popullsinë?

Treguesit janë në mesataren e vlerave respektive të botës dhe veçanërisht të Ballkanit. Mjafton të kujtojmë se, shkalla e vdekshmërisë në vende të ndryshme ka qenë edhe në nivelin 5 apo 6 përqind, për të kuptuar dhe vlerësuar treguesit në vendin tonë.

Mund të them se, renditemi ndër vendet me treguesit më të mirë. Por, nga ana tjetër dua të shtoj se, është ende në dorën tonë që, ne mund ta ndalojmë këtë proces, këtë infeksion, këtë sëmundje, duke respektuar masat, duke ruajtur distancën, duke përdorur maskat në mjedise të mbyllura, duke zbatuar rregullat e higjienës. Po të bëhen këto gjëra me rigorozitet, infeksioni do të reduktohet patjetër. Ne duhet të bindemi që do të bashkëjetojmë me virusin, deri sa ai të humbasë virulencën e vet, të gjendet vaksina dhe përmirësimi i protokolleve do të bëjë që kjo sëmundje të dominohet, të kontrollohet.

Nisur nga tabloja që përshkruat, a ekziston mundësia e një mbylljeje të dytë?

Në këtë moment, nuk është në diskutim një masë e tillë, pra një tjetër karantinë. Për mendimin tim, në këto kushte, nuk ka një rol vendimtar karantina. Sepse, karantinë do të thotë distancim fizik. Në qoftë se ne, këtë do ta bëjmë në kushtet që jemi, efekti do të jetë i njëjtë. Por, nuk përjashtohet asnjë skenar. Siç po e shohim, në vende të ndryshme të botës, po rikthehen sërish tek izolimi në variantin lokal.

Po të ndryshojnë treguesit, shkalla e infeksionit apo vdekshmëria, karantinimi është masa e fundit për të ndaluar ecurinë e sëmundjes. Prandaj njerëzit, duhet të ndërgjegjësohen, për ta realizuar karantinimin(distancimin fizik), në gjendjen e lirë siç jemi dhe të mos detyrohemi të shkojmë në një rikthim të masave shtrënguese karantinuese, të ngjashme me atë të periudhës së fillimit të pandemisë.

Ju, në pozicionin e mjekut dhe atë të drejtorit të Qendrës së Urgjencës Mjekësore Kombëtare, cilën zgjidhje do të preferonit?

Bashkëjetesë me virusin do të thotë; ne do dhe duhet të bëjmë jetën normale, por do të respektojmë rigorozisht disa rregulla që e ndalojnë atë të hyjë dhe të na sulmojë. Duhet të zbatojmë disa rregulla që të fitojmë luftën. Tani jemi në luftë dhe kur janë dy ushtri, dy kundërshtarë, ne dimë fillimin e luftës, por nuk dimë përfundimin e saj. Dhe, sigurinë për fitoren tonë në këtë luftë, na e jep modernizimi, ruajtja, respektimi i të gjitha ligjeve të luftës për të cilën jemi thirrur. Pra, e vetmja mënyrë për të arritur fitoren, është kjo dhe duhet të ngulmojmë drejt saj. Njerëzit, mediat, nuk duhet t’u japin hapësirë “gjithollogëve” dhe sharlatanëve, nuk duhet t’u japin hapësirë teorive konspirative, gjërave të pabazuara as në studime, as në shkencë, as në të vërteta. Sepse, kjo gjë, u krijon më shumë konfuzion njerëzve, se sa i sqaron ata.

Çfarë keni parasysh me këtë?

Në shumë media, në televizione të ndryshme të njohura, apo në rrjete sociale, kanë marrë apo u jepet hapësirë personave që nuk janë të fushës, pra të profesionit, nuk janë pjesë e botës akademike. Një person që flet për të tilla çështje, nuk është e mjaftueshme të lexojë diçka në internet dhe të dalë të flasë, por minimalisht duhet të jetë mjek i fushës, apo të jetë drejtues i një institucioni, drejtues i një shoqate shkencore, që merret me një punë shkencore.

Dhe, më keq akoma, ç’punë ka politika me interpretimin e pandemisë. Le të merret politika me politikën përsa i përket masave administrative, rregullave, ligjeve, por jo në interpretimin e pandemisë apo në mohimin e ekzistencës së virusit etj.

Doja të ndalesha në aplikimin e tamponit në kufi. Mali i Zi e ka si një kusht për të hyrë në këtë vend. Maqedonia e Veriut nisi ta aplikojë gjithashtu për shtetasit nga Kosova, Mali i Zi, Serbia, por jo për ata nga Shqipëria. Po ne, a duhet ta aplikojmë?

Në fakt, kjo lidhet me politikat që aplikon çdo vend në rastin konkret, që të përballojë një situatë të tillë. Tamponi është “po” ose “jo”. Në momentin kur hyn apo që bën testin, nuk e përjashton dot mundësinë që je i infektuar, ose jo. Sepse, ka ndryshuar natyra e virusit, ka ndryshuar koha e inkubacionit të tij, ka ndryshuar koha e dëmtimit që ai shkakton. Nëse më parë kjo kohë ishte tre ditë pas infektimit, kur virusi fillonte dëmtimet, sot nevojiten 6 apo 7 ditë. Ndërkohë, një qytetar nga një prej vendeve të mësipërme, ka mbaruar pushimet një javore dhe është larguar nga Shqipëria, duke lënë pas virusin të cilin e ka mbartur pa u shfaqur.

Problemi i testimeve, por sidomos i personave të infektuar, është i kushtëzuar nga treguesi i përqindjes që ne kemi përmendur shpesh. Ende, përqindja, për fatin e mirë është një nga treguesit pozitivë, gjithashtu më të mirë. 50-60% e të prekurve, janë të infektuar, por nuk sëmuren. Por, nga ana tjetër, 50-60% e të infektuarve janë transmetues, janë nga infektuesit kryesorë. Duke mos e shfaqur sëmundjen, ndaj tyre nuk ka asnjë lloj mbrojtjeje, asnjë lloj kufizimi, çka bën që ata ta shpërndajnë virusin në mënyrë të padijshme. Prandaj, e rëndësishme është që sot, ne ta konsiderojmë veten “të infektuar”. Sepse, kështu do të mbrojmë të tjerët, do të vendosim maskën, do të respektojmë distancimin fizik, rregullat e higjienës. Ky është problem kryesor. Kjo politikë duhet të ndiqet, të jepen prioritete. Të mos shohim siç bën e gjithë bota. Mjaft nga vende të ndryshme të botës edhe shumë më ta pasura se ne, gabuan rëndë. Dhe pasojat po i shohim në përqindjen e vdekshmërisë, në shkallën e infektimit, apo të përballimit dhe mospërballimit të numrit të madh të të sëmurëve.

Në kushtet e sezonit veror, është menduar për një riorganizim të Shërbimit të Urgjencës Mjekësore Kombëtare, duke i dhënë prioritet zonës bregdetare?

Për fatin e mirë, Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore është e shtrirë në të gjithë Shqipërinë, qysh në dhjetor të vitit 2018. Çdo nevojë për ndihmë mjekësore, në çdo metër katror të Republikës së Shqipërisë, vjen në Njësinë e Koordinimit ku ka një vlerësim të menjëhershëm nga ana e personelit mjekësor, që është fuqizuar dhe plotësuar së fundi me specialistë dhe mjete. Kemi marrë 10 mjekë dhe 10 infermierë shtesë, pesë shoferë dhe 10 operatorë të numrit “jeshil” 08004040, të cilët po trajnohen dhe do të vijojnë në punën e tyre. Pra, nuk ka ndarje të zonave, apo selektim të përkushtimit sipas këtyre zonave. Qendra kombëtare është për të gjithë Shqipërinë.

Veç kësaj, ne e bazojmë punën në bashkëpunimin me institucionet. Ne, jemi një nga sistemet më të kompletuara në kuadrin e Ministrisë së Shëndetësisë, për thithjen dhe marrjen e menjëhershme të nevojave të qytetarëve. Kjo, në ndryshim të plotë me periudhat paraardhëse, kur ky shërbim, arrinte të thithte vetëm pjesërisht thirrjet dhe kërkesat për nevojat e urgjencës mjekësore.

Ndërkohë, të gjitha institucionet janë të konverguara në një objektiv. Kjo do të thotë se, ne, si porta e parë, bëjmë klasifikimin, ose skedimin e pacientit, duke bërë një trajnim të përbashkët të të gjithë personelit mjekësor të Njësisë së Koordinimit. Është vënë protokolli që, personi me shenja të ngjashme me COVID-19, skedohet dhe i kalon njësisë vendore, ku, epodemiologët marrin të gjitha kontaktet, adresat dhe numrat e telefonit, i verifikojnë dhe ndjekin tamponin që e dërgojnë në ISHP. Pra, institucionet janë të lidhura në një zinxhir, ku qytetari ndiqet hap pas hapi, deri në momentin që merr përgjigjen nëse është, ose jo, i infektuar me COVID-19.

Nga ana tjetër, përforcimi i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore me personel mjekësor, lidhet edhe me këshillimin mjekësor të fazës së parë në formën e lehtë, me shenja dhe simptoma që kontrollohen në banesë edhe nëpërmjet telefonit, çka parandaloi dyndjen e pacientëve nëpër spitale.

Dhe, faktori tjetër është se, ne në periudhën e verës, aktivizojmë qendrat shëndetësore verore, që janë 28 në të gjithë territorin e vendit. Edhe pse turizmi nuk është në dimensionet e viteve të mëparshme, këto qendra janë hapur dhe funksionojnë prej datës 15 qershor dhe janë në komunikim me Qendrën Kombëtare të Urgjencës Mjekësore. Që të gjitha janë në komunikim dhe kontakte direkte dhe për çfarëdo lloj situate, rasti që paraqitet, përcillet në kohë reale.

Duke mbetur paksa në nivel lokal, pra në rastin e Vlorës, do të doja të dija cilat janë shkaqet që kanë çuar në shtimin e rasteve të qytetarëve të infektuar me COVID-19 në këtë qytet?

Si në të gjithë botën, në fillim u vendos përkufizimi i rastit, cili ishte rast i dyshuar dhe si ishte infeksioni, i lindur në një vatër, apo i importuar. Në këtë arsyetim, do të thosha se, Vlora përfshihet mes atyre qyteteve ku infeksioni u importua. Rikujtoj se, rasti i parë u importua nga i riu që erdhi nga Bergamo (Itali). Më pas, përgjatë dy muajve nuk pati raste të tjera deri në momentin kur pushuesit nga Tirana e zona të tjera, ju drejtuan bregdetit të Vlorës.

Ky përfundim na rikujton edhe një herë atë që përsërisim shpesh që, çdokush duhet të ndërgjegjësohet për të shtuar kujdesin dhe për të respektuar rregullat. Aq më tepër që, ku ka grumbullim njerëzish edhe rreziku është më i madh. Dhe, në këtë periudhë vere, Lungomarja është një vend ku ka shtim të dukshëm të qytetarëve, ashtu si në të gjitha zonat e tjera bregdetare. Institucionet duhet dhe do të bëjnë punën e tyre, por, nëse kjo do të shoqërohet edhe me kujdesin e vetë njerëzve, efektiviteti do të jetë më i plotë në parandalimin e përhapjes së infeksionit.

Përballë nevojës dhe dëshirës për të zhvilluar turizmin edhe në këto kushte, a duhet të pranojmë riskun e përhapjes së COVID-19?

Risku është present. Virusi është i pranishëm mes nesh. Ne e kishim parashikuar që, kjo rritje fiziologjike që do të vinte pas lehtësimit të masave, ishte llogaritur edhe me përballimin nga ana mjekësore e numrit të pacientëve. Por, duhet të pranojmë se, rritja është më e madhe, se ajo çka kishim parashikuar. Megjithatë edhe në këto kushte, unë përsëris se, gjithçka është dhe mbetet në dorën e vetë njerëzve. Distancimi fizik, vendosja e maskës, higjiena; kjo është gjithçka që duhet të bëjmë. Tani dhe në ditët në vijim, si mënyra më efikase për të parandaluar përkeqësimin e situatës dhe përmirësimin e saj. Secili duhet të shndërrohet në një zë, duhet të ngrihet edhe ndaj atij që shkel rregullat. Sepse liria e gjithësecilit është e kufizuar, nëse dëmton jetën e tjetrit. Kështu duhet ta konceptojmë përditshmërinë tonë, në raport me mjedisin. Ndërgjegjësim, ndërgjegjësim, ndërgjegjësim.

Duke ju referuar rastit tuaj, si një prej mjekëve dhe drejtuesve që u prekët nga virusi, cila është këshilla juaj në pikëpamje njerëzore.

Nuk ka sëmundje të mirë. Kur ajo të kap, duhet të përshtatesh. Kur je specialist i fushës, i percepton edhe më mirë pasojat që vijnë prej saj. Kur prekesh prej sëmundjes, një rrugë ka për të gjithë; mjekim simptomatik, shtrim në spital, ose terapi intensive. Nuk zgjedh më as profesioni, as mosha dhe as gjendja e të sëmurit. Ato janë faktorë që ndikojnë në prognozën dhe ecurinë e sëmundjes.

Ne jemi në vijën e parë, në jemi në frontin e luftës kundër këtij infeksioni, kundër këtij virusi dhe sulmi është i gjithanshëm, duke mos qenë shpesh i sugurtë se nga mund të na vijë rreziku. Ndërsa një qytetar që nuk është i detyruar as nga ana profesionale, etike, ligjore etj, për të qenë pjesë e këtij fronti, e ka më të lehtë për t’u mbrojtur nga rreziku.

Kujdesi dhe zbatimi i rregullave, mbetet pika kryesore e këtij momenti./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com