Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaroi sot se qeveria po vijon mbështetjen e saj për prodhuesit shqiptarë, përmes skemave financiare, me qëllim zgjerimin dhe rritjen e cilësisë së markës “Made in Albania” në tregjet ndërkombëtare.
Denaj e vijoi sot turin e saj të takimeve me biznesin në Gjirokastër, në kompaninë “Gjirofarma” të financuar me kredi nga sistemi bankar me rreth 2.5 milionë euro, mundësuar nga skema e garancisë shtetërore për sektorin e agrobiznesit.
“Falë kësaj mbështetjeje, kompania ka investuar për rritjen e kapaciteteve të përpunimit të qumështit dhe nënprodukteve të tij, por edhe për hapjen e linjës së re të përpunimit të mishit”, tha Denaj.
Ministrja tha se grantet për fermerët ekzistojnë.
“Ne kemi bërë gati një paketë me Agjencinë e Zhvillimit Rural (AZHBR) dhe shumë shpejt do ta prezantojmë. Kemi menduar se klasterat apo grupet janë një histori suksesi edhe pse në numër të vogël”, u shpreh Denaj.
Përfaqësuesi i kompanisë “Gjirofarma” kërkoi nga qeveria krijimin e mekanizmave që do tu lehtësonte atyre eksportin në tregjet europiane.
“Nëse do të kishte një koordinim të mirë të financimit fermerit dhe tregjeve do të rritej me dyfish kapaciteti i ndërmarrjeve shqiptare prodhuese”, tha ai./atsh