“Më parë e dija sesa i rëndësishëm dhe human ishte pozicioni i mjekut, por muajt e fundit më mjaftuan të marr vendimin e jetës sime”.
Mariza Hatia është vetëm 17 vjeçe dhe të gjithë në shkollën “Arben Broci” e njohin si një nga nxënëset e dalluara dhe të përkushtuara ndaj mësimeve e duke rrëmbyer të gjitha 10-at.
Ajo ka lindur në Athinë dhe kur ishte vetëm 1 vjeçe, prindërit e saj u vendosën të ktheheshin në Tiranë, duke lënë pas vitet e emigracionit në shtetin helen.
Pak e mbushur në trup, por me një ëmbëlsi që e karakterizon teksa flet për marrëdhënien e saj me librat por jo vetëm, flokët e gjatë e të kapura i shpalosen në fytyrë. E veshur me një bluzë te zezë e paksa të lirshme Mariza tregon se periudha e izolimit për shkak të pandemisë, e bëri që të merrte një vendim të rëndësishëm për jetën e saj.
“Dua të bëhem mjeke dhe këtë e vendosa vetëm pak muaj më parë. Nëse do flasim që nga klasa e parë e deri tani, që nuk e kisha vendosur akoma se çfarë do bëhesha isha fokusuar vetëm tek fakti që duhet të mësoja e të kisha rezultate të larta. Si fillim nisi si dëshirë për të kënaqur prindërit, për të përmbushur pritshmëritë që kishin ndaj meje. Më pas lindi si një dëshirë për të qenë një person akoma më i mirë i vetës time, për të qenë gjithmonë në atë maksimumin, ajo krenaria, egoja në sensin e mirë, që do t’a mbaj notën e mirë, do të luftoj. Në një farë mënyrë u kthye nga dëshira për të kënaqur prindërit, u kthye nga vetja ime, për të qenë personi më i mirë i vetes time”, rrëfen Mariza për Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Teksa tregon si është të jesh një nxënëse me të gjitha dhjeta që nga klasa e parë, koha e izolimit për shkak të pandemisë COVID-19, i shërbeu për të kuptuar thirrjen dhe kontributin që duhet të japë në shoqëri.
“Më pas vendosa që kem nota të mira, që të kem mundësi më të hapura për të ardhmen, për të zgjedhur se çfarë dua të vazhdoj. Në fillim më pëlqente të bëhesha psikologe, sepse më pëlqen interaktiviteti me njerëz. Më pëlqen kur u dëgjoj problemet, t’iu jap mendimet e mia, t’u qëndroj afër me pak fjalë. Më pas kuptova që drejtimi im është mjekësia. Më parë e dija sesa i rëndësishëm është pozicioni i mjekut, sa human që është dhe këtë periudhën e pandemisë e vura re akoma më shumë. Falenderimet që merrnin mjekët nga njerëzit, vështirësia e punës së tyre por edhe sadisfaksioni i punës. Ndaj kam vendosur të vazhdoj mjekësinë sepse dua të jem në radhën e atyre mjekëve që sakrifikuan e po vazhdojnë ta bëjnë çdo ditë që prej fillimit të pandemisë COVID-19. Më pëlqen një punë aq me nder, aq human, aq fisnike edhe mendoj kjo do t’i shkonte për shtat personalitetit tim”, tregon Mariza për ATSH-në.
“Ka pasur raste që kam ndenjur deri në 5 të mëngjesit mbi kompjuter për të përfunduar projektet”, shprehet Mariza.
Mariza çdo ditë studion jo më shumë se 4 orë në ditë, ndërsa shumicën e kohës e kalon duke lexuar libra apo mbi kompjuter duke përgatitur projekte në shkollë.
“Çdo ditë studioj jo më pak se 4 orë në ditë, por më rastis të studioj më shumë akoma, kjo në varësi të projekteve që kemi apo detyrave të dosjeve që mund të kemi. Më pëlqen shumë të merrem me projektet, me kompjuterin. Është diçka plus që të zhvillosh njohuritë e lëndës dhe është argëtuese njëkohësisht. Në kompjuter kaloj kohë. Në rast se kam ndonjë projekt kaloj diku tek 3-4 orë. Ka raste që kaloj gjithë natën deri në mëngjes mbi kompjuter për projekte apo punë të dosjes se është fund i tremujorit dhe bëhen të gjitha bashkë. Aty është periudha më e ngarkuar e vitit. Ka pasur raste që kam fjetur edhe në 4 apo 5 të mëngjesit dhe duhet të ngrihesha në orën 7 për në shkollë”, vijon rrëfimin saj Mariza për ATSH-në.
Si anëtare e rregullt e bibliotekës, ajo rrëfen se shpesh herë i ndodh që krahas librave të rinj, i pëlqen të rikthehet tek ata që i ka lexuar më herët, çka sipas saj, mëson një gjë të re çdo herë.
“Jam anëtare e rregullt e bibliotekës dhe lexuese e librave. Zakonisht 5 libra apo 6, varet edhe nga ngarkesa e shkollës plus që edhe bëj shëtitje. Mundohem të alternoj pjesën e mësimeve me ecje apo shëtitje me shoqërinë. Unë lexoj libra të rinj, por më pëlqen edhe të rilexoj librat që i kam lexuar një herë. Më pëlqen edhe kur u rikthehem, duket sikur mësoj diçka të re pas çdo leximi. Libri i fundit që kam lexuar është “Ana Karenina”. Kisha shumë dëshirë të lexoja libra të tjerë, por në periudhën e karantinës u mbyll biblioteka. Kisha bërë një listë të gjatë me libra që desha të lexoja dhe mbeta, nuk kisha çfarë të lexoja dhe fillova t’i rikthehesha librave jashtëshkollorë që i kam lexuar njëherë”, tregon Mariza.
Mes vullnetit dhe këmbënguljes për të mos lëvizur nga vendi i “parë” i rezultateve të arrira, ajo merret edhe me sport.
“Më pëlqen shumë të merrem me sport, por për shkak të angazhimeve të shkollës e kam lënë pas dore për shumë vite. Jam fokusuar më shumë tek pjesa e mësimeve, por e ushtroj gjatë kohës së lirë veçanërisht gjatë stinës së verës. Ky vit ka qenë vendimtar. Vendosa t’i kushtoj edhe më shumë kohë vetes time, duke dalë më shpesh”, tregon për ATSH-në ajo.
Periudha e izolimit ishte e vështirë për këdo nxënës. Edhe për 17-vjeçaren e cila thotë se duhej pak kohë sa të ambientoheshin me mësimin online.
Mariza tregon për ATSH-në se, “gjëja e parë që të vinte ndër mend është që do bëj pak pushim sepse nuk e menduam sesa serioze ishte situata. Menduam një javë pushim e do të kalojë. Më pas pasi u bë shumë serioze çështja që doli me më shumë se një muaj, nisi stresi. Ishte stresante periudha e izolimit, e qëndrimit në shtëpi. Nuk dilje, nuk mund të komunikoje fizikisht me njerëzit. Është shumë ndryshe të komunikosh me rrjetet sociale dhe përballë me miqtë. Më pas ishte stresi i lëndëve, si do i mësoje. Nuk është njësoj shpjegimi online me shpjegimin në klasë. Në shkollë i kupton më mirë gjërat. Ishte shumë stresante periudha e organizimit, orët, sinkronizimi me mësuesit e tjerë, programet në telefon ishin të shpërndara, një në google classroom, një në zoom, skype etj, të gjitha bashkë. Por ja dolëm. Sa u mësuam me atë regjimin e ri”.
Ajo shprehet se, “telefoni zakonisht për ne të rinjtë është gjëja kryesore. Kudo që shkojmë e marrim me vete dhe ndjejmë kënaqësi mjafton ta kemi në dorë. Në periudhën e karantinës dhe mësimi u bë online ishte hera e parë që fëmijët, adoleshentët nuk donin ta preknin me dorë telefonin ose kompjuterin. Pjesa e njoftimeve, lajmet që dilnin për numrin e të prekurve, u krijua një tension dhe negativitet aq i madh saqë vetë adoleshentët, përdoruesit më të mëdhenj të celularit nuk donin t’a hapnin. Ishte periudha më e papërshtatshme kur donin të gjenin kohë larg telefonit, vetëm veten e tyre. Nuk mundeshin që ta bënin sepse kishin mësimin online dhe mësimi online kishte vështirësitë e veta. Është pjesa e disiplinës vetjake, qoftë për t’u ngritur nga gjumi, qoftë për orët që vendos që duhet të studiosh, sa i realizon detyrat që të ngarkohen apo pjesa e vështirësisë e të kuptuarit të informacionit. Për mësuesit, pavarësisht se kaluan nga mësimi në klasë në diçka më moderne, kishte vështirësi më vete, por të dyja palët u treguan bashkëpunues. Mësuesit u treguan shumë mirëkuptues me ngarkesën. Jepnin gjërat më të rëndësishme, mundoheshin t’i shpjegonin gjëra sa më me detaje që t’i kuptonim. Mësuesit na kanë mbështetur pa përjashtim të gjithëve. Kur e shihnin që ne kishim vështirësi në një detyrë që nuk e dërgonim në kohën e duhur, e kuptonin menjëherë që kishin vështirësi edhe na shkruanin. “Na shkruani në çdo moment të ditës, ne ju përgjigjemi”. Edhe në 10 të natës t’i shkruaje mësuesit të përgjigjej, të shpjegonin mësimin, ta çonin të zgjidhur, të çonin shembull tjetër. Në disa raste të merrnin edhe në telefon për të shpjeguar ose dërgonin video. Ishin shumë të përkushtuara gjatë gjithë periudhës që nxënësit të merrnin sa më shumë dije”.
Ajo njihet në shkollë si një ndër vajzat më të sjellshme të shkollës ndërsa miq të mirë ka vetëm 5, të cilat Mariza i konsideron një familje e dytë.
“Kam një marrëdhënie shumë të mirë me shoqërinë ndërsa miq të ngushtë kam vetëm 5. Ashtu si familja edhe ata i kam në krah. Më ndihmojnë, janë persona bashkëpunues, tolerantë. Unë jam natyrë që dua shumë t’i ndihmoj të tjerët. Nuk marr kënaqësi nga notat apo arritjet që kam nga studimet nëse nuk jap kontributin tim ose nuk shikoj fytyrat e miqve të mi të buzëqeshin”, tregon Mariza për ATSH-në.
Mariza thotë se të jesh nxënëse më të gjitha 10-ta kërkon sakrificë, nuk është aq e lehtë sa kur i sheh ato numra në dëftesë.
“Do goxha sakrificë. Mund të kesh dëshirë që të dalësh pasditeve. Ose po e le këtë orë mësimi se dua të dal për qejf, por duhet të vendosësh prioritetet në kohën e caktuar. Kërkon sakrificë, vullnet edhe lodhje. Nuk do kënaqesh gjithmonë, ka raste që do të mërzitesh me notën apo me rezultatin tënd, me atë që ti je. Por ia del, nëse ke dëshirë për t’ia dalë mbanë. Është e vështirë. Rezultatet mësimore janë të rëndësishme, por ajo çfarë ka më shumë rëndësi është të arrish maksimumin e vetes tënde, performancën më të mirë dhe të bësh atë çka dëshiron, atë çka ndjen duke qenë i përkushtuar qoftë ndaj një lënde apo ndaj një sporti. Krijon atë disiplinën, atë dëshirën për të shkuar diku për t’u bërë dikushi. Kjo ka shumë rëndësi. Të punosh fort, për veten tënde, për të ardhmen në raport me të tjerët, për një të ardhme më të mirë, për të zgjedhur atë që dëshiron”, përfundon rrëfimin e saj për ATSH-në, Mariza Hatia, 17-vjeçarja me të gjitha 10-ta. //atsh