“Mbrojtja e interesit publik, rrit besueshmërinë dhe imazhin e prokurorëve”. Nën këtë moto, kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi zhvilloi takimin me drejtuesit e prokurorive Fier dhe Vlorë, në vazhdën e takimeve me drejtuesit e prokurorive të rretheve.
Ibrahimi pati një takim me drejtuesit e prokurorisë së rrethit Fier dhe Vlorë, Violeta Shkurta dhe Erion Çela. I shoqëruar edhe nga anëtari i këtij Këshillit, Vatë Staka, kreu i KLP-së, pasi u njoh edhe me një sërë problematikash për dy prokuroritë respektive, propozoi një bashkëpunim me të ngushtë me prokurorët në përmirësimin e punës së tyre.
Ibrahimi dhe Staka siguruan mbështetjen e Këshillit duke i propozuar prokurorëve edhe bashkëpunim lidhur me dy rregulloret e reja sa i përket lëvizjeve paralele dhe asaj për ngritjen në detyrë.
Gjithashtu, në kuadër të përmirësimit të imazhit publik të sistemit të prokurorisë, zoti Ibrahimi u shpreh se “Prokuroria përfaqëson interesat e shtetit në procese penale, ndaj dhe në këtë prizëm prokurorët duhet të kenë parasysh se me qëndrimin dhe veprimtarinë e tyre përfaqësojnë dhe duhet të mbrojnë interesin publik”.
“Vetëm duke mbrojtur këtë interes, do të rritet besueshmëria e publikut, por edhe imazhi i prokurorëve në sytë e çdokujt. Reforma në Drejtësi, Vetingu si një proces kyç, pavarësisht ngadalësimeve dhe të metave që mund të evidentohen gjatë rrugës, duhet të pasohet pikërisht nga ndjenja e përgjegjësisë në raport me publikun, shtetin e së drejtës, dhe ndëshkueshmërisë, bazuar në prova dhe fakte. Kjo është mënyra e duhur që nesër qytetarët të mos kenë dyshime në denoncimet që bëjnë, apo që të vijojë ideja se disa janë mbi ligjin dhe për rrjedhojë s’mund të preken. Jeni në anën e duhur për sa kohë publiku do të ketë besim tek ju”, u shpreh ai. /atsh