Shefi i Urgjencës Kombëtare Mjekësore, Skënder Brataj deklaroi sot në një intervistë televizive se në këtë moment maska është detyrim në të gjitha ambientet e brendshme.
“Në këtë moment, maska është detyrim. Me hapjen publike të transportit është detyrim në të gjitha ambientet e brendshme. Duhet të shtrëngojmë masat me qëllim që brenda dy apo tre javësh të ulim numrat”, tha Brataj.
Brataj shtoi se në korrik priten rritje të rasteve pozitive. Ai u shpreh se infektimet që kemi aktualisht janë pasqyrim i hapjes së qershorit dhe gjatë muajit korrik, nëse lokalet do të jenë plot dhe nuk do të respektohen rregullat shifrat do të jenë në rritje.
“Në këtë periudhë ne jemi me fillimin e hapjes. Kjo javë është në rritje dhe përkon me hapjen e qershorit. Kapacitetet spitalore janë rreth 550 shtretër dhe kemi 256 respiratorë. Unë mendoj se së shpejti do hapim COVID-2. Korrikun do ta kemi në ngritje, sepse është maksimumi i dëmit që është bërë. Po kërkohet që njerëzit të ndërgjegjësohen”, tha Brataj.
Brataj tha se ajo që është shqetësuese lidhet me faktin, që 61% e të infektuarve po shfaqin simptoma, ndërsa në fillim të pandemisë, vetëm 30% e personave të prekur shfaqin simptoma.
Brataj tha se Shkodra është qyteti me përhapjen më të lartë në bazë të numrit të popullsisë, për shkak të mosrespektimit të rregullave./atsh