[sgmb id=”1″]
Se kush është Ismail Qemali edhe një vogëlush 6-vjeçar e ka në majë të gjuhës përgjigjen: Plaku që ngriti flamurin dhe shpalli Pavarësinë. Problemi është se po aq sa ky vogëlush, është një pjesë e madhe e popullsisë së Shqipërisë që dinë vetëm kaq për plakun flokëbardhë që kreu aktin më të rëndësishëm në historinë e shtetit shqiptar. Ka një takëm njerëzisht që dinë më shumë.
Ca të tjerë që dinë edhe pak më shumë. Edhe Ismail Qemali ka lindur më 16 tetor, në tekstet e historisë ditëlindja e tij njihet 24 janari, pikërisht për këtë arsye edhe dje u festua 168 vjetori i lindjes së tij. Përse i zhdukën ditëlindjen më 16 tetor, pse përkonte me atë të Enver Hoxhës. Cili është arsimi i tij. Cilat ishin detyrat e tij më të larta në hierarkinë e Perandorisë Osmane e si ngriti në Stamboll klubin për pavarësinë shqiptare dhe si u internua nga pushteti turk.
Përse sulltani e emëroi këshilltar të tij. Si u emërua Vali në Libi, por ai nuk shkoi Tripoli, por në Paris, nga ku nisi punën për pavarësinë e Shqipërisë. Historia e 28 Nëntorit, me kë shkoi në Vlorë dhe përse shkoi në Vlorë. Cilin flamur ngriti dhe historia e dokumentit themeltar që u falsifikua. Një histori plot lavdi dhe kontradikta të një jete, që, siç vetë Ismail Qemali e ka thënë në fjalimin e 28 Nëntorit, Zoti donte që të ishte i pari shqiptar që ngriti flamurin.
1. Ismail Qemali, në fakt quhej Ismail bej Vlora. Emri i tij u ndryshua gjatë kohës së regjimit komunist mbi botëkuptime komuniste ndaj titullit “Bej”, por asnjëherë asnjë historian dhe personalitet nuk e ka shpjeguar këtë ndryshim.
2. Ismail Qemali ishte një nga personazhet më të rëndësishme të familjes së njohur Vlora, një familje e pasur dhe me shumë tradita, dhe që ka nxjerrë shumë personazhe të rëndësishëm në jetën politike shqiptare.
3. Ismail Qemali lindi më 16 tetor 1846 në Kaninë të Vlorës dhe vdiq më 24 janar të vitit 1919 në Peruxha të Italisë. Vetëm pas vitit 1990 është mësuar nga historiani turk me orgjinë shqiptare, Nexhip Alpan, që ditëlindja e Ismail Qemalit ishte në një ditë me atë të Enver Hoxhës. Por ajo është mbajtur e fshehtë, duke mos u shkruar në asnjë libër historie. Në tekstet e historisë së Shqipërisë dhe tekstet mësimore datëlindja është shkruar më 24 janar 1844. Në fakt ajo është më 16 tetor 1844.
4. Ismail Qemali jetoi 72 vjet, 3 muaj e 8 ditë ose gjithsej 2628 ditë. Ai kishte një shtat mesatar dhe me një trup me peshë po mesatare. Ismail Qemali mbante një veshje të kohës, me kostum të kohës, kravatë e kohës, flokë të thinjur të krehur me kujdes dhe me një mjekër të bardhë të krehur edhe atë. Ngjyra e kostumeve në përgjithësi ishte e zezë dhe në kokë mbante kapele.
5. Ismail Qemali gjatë gjithë jetës së vet jetoi në këto shtete: Shqipëri, Greqi, Turqi, Itali, Bullgari, Siri dhe për pak kohë në Francë, Angli, Zvicër dhe Gjermani.
6. Ismail Qemali u diplomua në gjimnazin Zosimea në Janinë dhe pas një karrierë të konsiderueshme në administratën turke. U arsimua në Paris për Shkenca Juridike dhe Ekonomike. Me këtë edukim ai ishte një nga më të arsimuarit në administratën turke të asaj kohe.
7. Ismail Qemali njihej dhe si një poliglot, një armë që atij i shërbente në të gjithë aktivitetin e tij politik për çështjen shqiptare. Ai njihte shkëlqyer gjuhën shqipe, osmanishten, turqishten e re, greqishten e vjetër, latinishten, italishten dhe frëngjishten.
8. Ismail Qemali cilësohet si babai i kombit, duke qenë se ka kryer aktin më historik në të gjithë historinë e shtetit shqiptar. Ai ngriti flamurin e Pavarësisë në Vlorë, më 28 Nëntor të vitit 1912 dhe shpalli Shqipërinë shtet të pavarur duke i kërkuar fuqive ndërkombëtare ta njihnin këtë vendim.
9. Në asnjë rrethanë dhe në asnjë situatë, ai nuk e përdori këtë moment sublim për të përfituar dhe marrë vlerësime. Madje, në fjalimin e tij ditën e Shpalljes së Pavarësisë, ai është shprehur, se, siç e donte Zoti që të ishte i pari të ngrinte flamurin e pavarësisë, ashtu të bëhej edhe hero i parë i shtetit shqiptar.
10. Ismail Qemali është kryeministri dhe kryetari i parë në historinë e shtetit shqiptar. Ai qëndroi në krye të qeverisë nga data 28 Nëntor e vitit 1912 deri në 22 janar 1914 për 12 muaj e 56 ditë.
11. Ismail Qemali ngriti në Vlorë flamurin e kuq me dy krena shqiponjash, një flamur që deri më sot na vjen në tre variante. I pari, se këtë e qëndisi një Marigo, një nuse e shtëpisë ku fjeti Ismaili natën e fundit, atë që e solli Spiridon Ilo nga SHBA varianti i tretë i Eqrem bej Vlorës, sipas të cilit ia dha ai flamurin që ia kishte falur Aleadro Kasstriota burri i një princeshe që pretendonte se ishte pasardhëse e Skënderbeut.
12. Në vlerësimet e punës që i kanë bërë drejtuesit e administratës turke për Ismail Qemalin janë shënuar këto fjalë: Vali i denjë, diplomat, deputet, udhëheqës shteti, mendimtar dhe kryetari i parë i shtetit shqiptar.
13. Ismail Qemali e nisi karrierën e vet politike si përkthyes në Ministrinë e Jashtme të Turqisë Osmane në vitin 1860. Detyra e dytë në administratë e Ismail Qemalit ishte në vitin 1868, drejtor i Sekretariatit në Zyrën Juridike në Sofje të Bullgarisë, që në atë kohë ishte pjesë e Turqisë Osmane.
14. Ismail Qemali më pas mori detyrën e nënprefektit të rajonit të Rusçuk, një detyrë që e mbajti për pesë vjet. Në vitin 1873, ai jep dorëheqjen dhe largohet nga ajo detyrë.
15. Ismail Qemali u emërua sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme të Turqisë në vitin 1876, një detyrë që e ndihmoi shumë të njihte diplomacinë turke nga brenda, por edhe atë të huaj. Në këtë detyrë qëndroi për një vit.
16. Në vitin 1877, ai pëson një dënim në karrierën e tij, pikërisht për aktivitetin e tij patriotik ndaj Shqipërisë. Me arsyetimin se kërkoi autonominë e Shqipërisë, ai internohet për shtatë vjet në Kytahja të Anadollit. Por presioni i një pjesë të administratës turke, por edhe të patriotëve shqiptarë, bëri që sulltan Avdylhamiti t’i hiqte internimin dhe ta emëronte madje Vali në Bollu të Turqisë.
17. Ismail Qemali emërohet Vali në Siri, një detyrë shumë e lartë në atë kohë dhe për më tepër që bëhej fjalë për një krahinë që më vonë mori edhe ajo pavarësinë si shtet i pavarur. Këtë detyrë e mbajti deri në 28 qershor të vitit 1892.
18. Për punë të mirë Ismail Qemali arriti të bëhej deri këshilltar personal i sulltan Avdylhamitit, në momentin kur Perandoria Osmane ishte në fund të saj. Një detyrë që e mbajti nga viti 1892 deri në vitin 1900. Kjo e ndihmoi atë ta njihte nga brenda perandorinë.
19. Nga e gjithë detyra e tij si këshilltar i Sulltanit, mbahet mend se Ismail Qemali ishte ai që i propozoi atij ndërtimin e një hekurudhe që niste në Durrës dhe mbaronte në Stamboll. Një vepër që nuk u ndërtua as në atë kohë dhe vazhdon të mos jetë e ndërtuar edhe sot.
20. Më 1 maj të vitit 1900, sulltan Avdylhamiti për punë dhe cilësi të mira e emëron Vali i Përgjithshëm i Libisë, një detyrë mjaft e lartë e asaj kohe. Por Ismail Qemali u nis për në Tripoli, por rrugës kthehet dhe shkon në Paris, Londër e gjetkë, për të punuar për çështjen shqiptare.
21. Më 1908, me ndihmën e shqiptarëve të veriut të Maqedonisë, Ismail Qemali zgjidhet deputet i rrethit të Beratit, por në fakt ishte përfaqësues i gjithë Shqipërisë. Gjatë kohës që Ismail Qemali ishte deputet në Parlamentin e parë të Turqisë moderne, ai pati një peshë të konsiderueshme. Fjalimet e Ismail Qemalit në Kuvend kanë qenë nga më oratoriket dhe më me mendim, duke nxitur kundërshtarët ta sulmojnë pa të drejtë.
22. Ismail Qemali ra në sy në vitin 1871, pikërisht në zemër të Turqisë osmane, se paraqiti tre kërkesa të njëpasnjëshme për hapjen e shkollave shqipe në Shqipëri. Edhe pse punonte si pjesë e administratës osmane, mori pjesë në një mbledhje të rilindësve shqiptarë në Stamboll për të krijuar alfabetin shqip.
23. Në vitin 1865 Ismail Qemali nisi të punonte për pavarësinë e Shqipërisë, duke krijuar për këtë çështje një klub në kryeqendrën e perandorisë, Stamboll, bashkë me Konstandin Kristoforidhin.
24. Shërbimi i sigurisë së administratës turke zbuloi se gjatë kohës që Ismail Qemali punonte për Turqinë, kishte hartuar një dokument për projektin e një Shqipërie të pavarur. Ky ishte edhe një nga shkaqet më të mëdha të përndjekjes që u ndërmor ndaj atij.
25. Ismail Qemali vdiq në rrethana misterioze në Peruxha të Italisë, pak momente para se të jepte një konferencë për shtyp. Deri më sot nuk ka në fakt një variant eksplicit të vdekjes së tij, por gjithmonë janë hedhur dyshime.
26. Dyshimi më i madh mendohet të jetë se ai është helmuar në ushqim nga qarqe greke dhe italiane antishqiptare, që e shikonin Ismail Qemalin si një personalitet me influencë të madhe për çështjen shqiptare.
27. Kufoma e Ismail Qemalit është mbajtur në Peruxha për dy javë pas vdekjes, me idenë e balsamosjes. Por kjo i shtoi edhe më shumë dyshimet për helmim, pasi i kanë nxjerrë të gjitha organet e brendshme për të zhdukur çdo shenjë për autopsinë.
28. Ismail Qemali është varrosur dy herë. Herën e parë në shkurt të vitit 1919 në Kaninë, vendin e lindjes dhe të paraardhësve të tij, dhe herën e dytë më 28 Nëntor në Vlorë, viti 1932.
29. Varrimi i dytë është bërë me urdhër posaçërisht të mbretit Ahmet Zogu, me rastin e 20-vjetorit të Pavarësisë. Zogu dhe partia e asaj kohe i kanë bërë nderimet më të mëdha trupit të Ismail Qemalit, duke ia vendosur eshtrat në varrin që është edhe sot në Vlorë.
30. Ceremonia për rivarrosjen e eshtrave të Ismail Qemalit është cilësuar si një nga ceremonitë më të mëdha që ka organizuar Ahmet Zogu gjatë gjithë kohës që ai ka qenë në pushtet. Ai i ka bërë nderimet më të mëdha atij që u quajt babai i kombit.
31. Ismail Qemali është nga ata personalitete politike dhe shtetërore që ka shkruar kujtimet e veta. Por kujtimet e tij nuk janë botuar asnjëherë të plota dhe kjo është çudia që e ka shoqëruar çdo gjë në jetën e tij.
32. Akuza më e madhe që është hedhur ndaj Ismail Qemalit, është ajo se ai ideoi pas pavarësisë ndarjen e Shqipërisë në kantone një model si Zvicra. Por sipas njerëzve që e hodhën këtë akuzë, kjo do të bënte që fqinjët ta kishin më të lehtë ndarjen dhe copëtimin e Shqipërisë.
33. Për herë të parë gjatë gjithë historisë së shtetit shqiptar diskutohet që të hiqet emri i Ismail Qemalit nga një institucion. Ky skandal ndodhi pikërisht kur rektori i Universitetit të Vlorës, Tanush Shaska, propozoi që emri i Ismail Qemalit t’i hiqej Universitetit të Vlorës. Propozim ky që ngjalli një reagim mjaft të ashpër si nga politika, media, intelektualët dhe publiku.
34. Pasardhësit më aktivë të Ismail Qemalit në ditët e sotme janë Darling Vlora, Nedim Vlora dhe Ariana Vlora. Ndërsa shumica e pasardhësve të tjerë kanë vdekur, kurse pjesa tjetër është në emigracion prej shumë vitesh.
35. Qamil bej Vlora (1895-1950) ishte djali dhe fëmija i fundit i Ismail Qemalit. Qamili ishte i vetmi djalë i Ismail Qemali që nuk u largua nga Shqipëria. Edhe pse nuk u mor me politikë, më 1946, pasi nuk pranoi bashkëpunimin me regjimin komunist, u arrestua me pretekstin “armë mbajtje pa leje”, pasi iu gjet një revolver, më shumë antik sesa funksional, shkruan Kultplus. Në burg u bë me turbekuloz dhe vdiq në moshën 55-vjeçare.
36. Ismail Vlora dhe Xhevdet Vlora ishin dy nipërit e Ismail Qemalit. Ata ishin poliglotë që punuan për bukën e gojës. Dy nipërit e Ismail Qemalit nuk pranuan të bashkëpunonin me regjimin komunist dhe në këtë mënyrë u detyruan të punonin nëpër fshatra të ndryshëm me punë krahu.
37. Ismail Qemali u martua dy herë dhe në të dy rastet me shtetase greke. Për herë të parë me një vejushë nga Konica, me të cilën nuk pati fëmijë, pasi vdiq gjatë lindjes së bashku me vajzën. Ndërsa për herë të dytë u martua në vitin 1886, me Kleoniqi Surmeli, vajza e një fisniku grek nga krahina e Edërnesë.
38. Ismail Qemali u detyrua ta rrëmbente gruan e dytë për arsye se ligjet e ndalonim martesën e një myslimani me një ortodokse. Siç shkruan në kujtimet e veta Ismail Qemali, me këshillën e vjehrrit e rrëmbeu nusen e ardhshme, ndërsa martesa u njoh zyrtarisht në 1886-n, ai ishte 23 vjeç.
39. Nga martesa e dytë Ismail Qemali pati 9 fëmijë, tre vajza dhe gjashtë djem. Vajzat quheshin Myvedet, Alije, Ylvie. Ndërsa djemtë ishin Mahmud Bej, Tahir Bej, Et’hem Bej, Xhevdet Bej, Qazim Bej dhe Qamil Bej.
40. Fjalimi i Ismail Qemalit në pasditen e 28 Nëntorit 1912, Vlorë, zgjati rreth pesë minuta. Fjalimi përmbante 450 fjalë dhe u ndërpre disa herë nga thirrjet e njerëzve që ishin mbledhur në sheshin e qytetit. Ndërprerja më e gjatë e fjalimit të Ismail Qemalit është në momentin që ai nxjerr flamurin dhe e valëvit atë në ajër dhe thotë “Rroftë Shqipëria e Lirë!”.
41. Fjalimi i Ismail Qemalit në Shpalljen e Pavarësisë u lexua i gjithi në gjuhën shqipe. Në të përmendet Shpallja e Pavarësisë, lufta e Skënderbeut, vuajtjet e shqiptarëve dhe së fundi, një lutje drejtuar Zotit që të mbrojë shqiptarët dhe Shqipërinë e Lirë.
42. Fjalia më e veçantë e fjalimit të Ismail Qemalit në Vlorë është: “Zotit të Madh,… të pranojë që këtej e tutje të jem unë dëshmori më i parë i Atdheut, ashtu siç pata nderin dhe fatin që të jem i pari ta puth e ta bëj të valëvitet i Lirë. Flamuri i ynë, n’atdhenë t’onë të lirë”.
43. Vendimi i parë i Ismail Qemalit pas firmosjes së deklaratës së Pavarësisë dhe marrjes së detyrës si kryeministër, është dërgimi i lajmit në të gjitha qarqet e vendit dhe dërgimi i telegrameve në shtetet e mëdha për njohjen e pavarësisë.
44. Ismail Qemali është djali i Mahmut bej Vlorës që disa herë u ndëshkua nga Porta e Lartë dhe i Hadije Hanëmit nga familja e njohur Alizoti e Gjirokastrës. Ismail Qemali kishte një motër dhe një vëlla më të vogël, Sulejmanin. Sulejmani vdiq gjatë internimit që iu bë familjes nga turqit në Selanik, rreth vitit 1871.
45. Kopja e dokumentit të Shpalljes së Pavarësisë, e publikuar në vitin 2007, mendohet se i përket Lef Nosit, i cili në qeverinë e parë shqiptare ishte ministër i Postë-Telegrafës. Teksti shqip i Deklaratës së Pavarësisë përbëhet vetëm prej katër rreshtash dhe janë ato ku thuhet: “Shqipëria të jetë më vete, e lirë dhe e mosvarme”. Më pas vijojnë dy rreshta në turqishten e vjetër.
46. Nga teksti dhe proklamata e Pavarësisë, nga regjimi komunist janë hequr mjaft emra nga firmëtarët e pavarësisë. Por në proklamatë janë hequr edhe disa pasazhe.
47. Kabineti i qeverisë së Vlorës përbëhej nga 10 anëtarë. Kryeministër – Ismail Qemali, Zëvendëskryeministër – Nikoll Kaçorri, Ministër i Jashtëm – Myfit Libohova, i Luftës – Mehmet Pashë Dërralla, i Drejtësisë – Petro Poga, i Arsimit – Luigj Gurakuqi, i Financave – Abdi Toptani, i Bujqësisë – Pandeli Cale, i Post Telegrafit – Lef Nosi.
48. Deri më sot nuk ekziston asnjë fotografi nga momenti i Shpalljes së Pavarësisë më 28 Nëntor të vitit 1912. Ende nuk dihen shkaqet sepse ajo foto mungon. Ndërkohë që fotografia që paraqet ngritjen e flamurit në Vlorë nga Ismail Qemali nuk i përket datës 28 Nëntor 1912, por datës 1 dhjetor 1912.
49. Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë nuk u njoh që më 28 Nëntor të vitit 1912 nga Evropa. Pavarësia e Shqipërisë nga shtetet evropiane u njoh vetëm në vitin 1913, gjithashtu në këtë vit u njoh edhe Ismail Qemali si kryeministër i Shqipërisë.
50. Ismail Qemali e shpalli Pavarësinë për të gjitha trevat shqiptare. Në këtë akt hyn Kosova, një pjesë e Maqedonisë, Çamëria dhe pjesa që u shkëput më vonë nga Mali i Zi.