Vlerat historike, arkitektonike dhe kulturore e bëjnë Beratin një ndër qytetet më unike në Shqipëri dhe në botë.
Sot qyteti i një mbi një dritareve shënon 12-vjetorin e hyrjes në UNESCO. Më 8 korrik 2008 në sesionin e 32-të të Komitetit të Trashëgimisë Botërore të mbajtur në Kanada, Berati u regjistrua si sit i Trashëgimisë Botërore.
Hyrja në UNESCO shënoi maksimumin e vlerësimit të vlerave duke i konfirmuar ato jo vetëm në nivel kombëtar, por edhe ndërkombëtar.
Bërja pjesë në pasuritë botërore i dha mundësinë qytetit të promovohej si sit ndërkombëtar dhe të bëhej pjesë e guidave të ndryshme duke bëre që Berati të kthehet në destinacion turistik botëror.
“Plot 12 vjet më parë, qyteti i “Një mbi një dritareve” u pranua në listën e trashëgimisë botërore, nën mbrojtjen e UNESCO-s. Berati, një qytet-muze, ku çdo rrugicë me kalldrëm, çdo shtëpi, kishë, xhami mbart vlera të jashtëzakonshme, histori, kulturë, traditë.
Berati, një destinacion turistik e kulturor, që nuk duhet humbur”, – shprehet Margariti.
Ndërsa kryetari i bashkisë së Beratiit, Ervin Demo, teksa shpreh mirënjohje për brezat që kanë ruajtur këtë trashëgimi të rrallë thekson se “bashkia e Beratit do vijojë me promovimin e turizmit në qytet dhe ruajtjen e objekteve me pëgjegjësinë e duhur siç e meriton Berati në UNESCO”.
Berati vazhdon të jetë destinacioni i preferuar i shumë vizitorëve nga vendi dhe bota.
Një interes të madh turistët kanë treguar për kalanë, Muzeun Ikonografik Onufri, Muzeun Etnografik, si dhe lagjet e vjetra e të qytetit: Mangalem e Goricë, si dhe Urën e Goricës.
Në vitin 1961 Berati u shpall zyrtarisht qytet-muze. Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë.
Midis këtyre vlerave, nga më të spikaturat janë: Kështjella ose kalaja siç quhet nga beratasit, është ndërtuar mbi kodrën shkëmbore në formë trekëndëshi, me perimetër të mureve 1440 m, me 24 kulla e me dy porta./atsh