Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti sot në një takim ish-kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj, me rastin e dorëzimit të detyrës së tij në krye të këtij institucioni tepër të rëndësishëm kushtetues.
Presidenti Meta e falënderoi Leskaj për ushtrimin me përgjegjshmëri të kësaj detyre deri në fund, dhe vlerësoi rolin e tij për modernizimin e KLSH-së, përdorimin e standardeve të auditimit suprem publik të pranuara ndërkombëtarisht (ISSAI-t), për forcimin e llogaridhënies, transparencës, luftës kundër korrupsionit dhe abuzimit me fondet publike në administratën shtetërore.
Leskaj e falënderoi kreun e Shtetit për mbështetjen maksimale institucionale që i ka dhënë për përmbushjen e detyrës në respekt të plotë të Kushtetutës dhe ligjit.
Kuvendi i Shqipërisë zgjodhi në seancën e 2 korrikut kreun e ri të KLSH-së, Arben Shehun.
Me 108 vota pro, 5 kundër dhe 4 abstenime, Kuvendi vendosi të miratojë kandidaturën e katërt të propozuar nga Presidenti i Republikës për Kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit./atsh