Loading...

Ministria e Shëndetësisë apel qytetarëve: Përdoreni maskën kudo në ambientet e mbyllura, ku nuk mund të ruani distancën

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bëri thirrje sot qytetarëve të tregojnë kujdes me respektimin e rregullave sepse shkujdesja e vërejtur favorizon përhapjen e virusit, i cili po prek çdo moshë, pa dallim.

Dr. Eugena Tomini nga Instituti i Shëndetit Publik tha sot në komunikimin e drejtpërdrejtë se “qytetarët duhet të përdorin maskën kudo në ambientet e mbyllura, kur hyjnë në supermarket, në dyqane, në zyrë dhe në çdo ambient publik ku nuk mund të ruajnë distancën”.

Sipas saj, në vend vijon të ketë një trend në rritje të të prekurve me COVID-19.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën thirrje edhe njëherë bizneseve, të zbatojnë me korrektësi protokollet e sigurisë në punë: të dezinfektojnë ambientet, të kryejnë ajrosjen rregullisht, të përdoren maskat apo barrierat mbrojtëse në çdo subjekt shërbimi për qytetarët, siç e përcaktojnë protokollet e autoriteteve shëndetësore”, – tha Tomini.

Sipas saj, çdo shkelje do të konsiderohet me rrezik për shëndetin e qytetarëve dhe si e tillë do të ndëshkohet sipas ligjeve në fuqi.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon për vetëndërgjegjësim nga qytetarët që të jenë të kujdesshëm në zbatimin e masave të vendosura: Kur dilni, qëndroni në distancë fizike prej të paktën 1.5 metër, lani shpesh duart, përdorni maska ose barriera mbrojtëse, dezinfektoni objektet dhe ajrosni ambientet ku qëndroni.

Në rast se dyshoni se jeni i prekur nga COVID-19 apo keni patur kontakte me persona të prekur, izolohuni. Në rast se keni shenja të sëmundjes, telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare, 127.

Telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40 të vendosur në dispozicion nga Ministria e Shëndetësisë për këshillim psikologjik apo çdo informacion për COVID-19.

Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 362 testime për të dyshuar të prekur me COVID-19, nga të cilat janë konfirmuar 90 raste pozitive./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com