Loading...

“Fletërrufeja ndaj Thaçit e Veselit “/ Drejtësia të mos transformohet në një proces padrejtësie ndaj Kosovës dhe luftës Çlirimtare

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “një proces gjyqësor i mundshëm si rezultat i angazhimit të Kuvendit të Kosovës në miratimin e një Gjykate Speciale për të zbardhur deri në fund të gjitha pretendimet dhe akuzat lidhur me krimet në luftë, nuk duhet të deformohet duke u transformuar në një proces padrejtësie ndaj Kosovës, padrejtësie ndaj luftës Çlirimtare, padrejtësie ndaj autoriteteve të shtetit sovran të Kosovës.

Në konferencën e përbashkët për shtyp në Tiranë me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, Kryeministri Rama foli për “situatën e krijuar nga shpallja publike e një fletërrufeje në adresë të Presidentit të Kosovës”.

“Dëshiroj që të rinënvizoj edhe njëherë me këtë rast, atë që u përpoqa të përcjell qoftë në Kuvendin e Shqipërisë, qoftë gjatë vizitës time në Prishtinë, lidhur me situatën e krijuar nga shpallja publike e një fletërrufeje në adresë të Presidentit të Kosovës. Theksoj se ajo fletërrufe duhet të përbëjë një motiv shumë të fortë nxitës për të gjithë aktorët dhe faktorët politikë shqipfolës, qofshin këta në Kosovë, qofshin në Shqipëri, në Maqedoninë e Veriut apo kudo, për të qenë të njëzëshëm në raport me domosdoshmërinë që drejtësia të jetë e drejtë. Një proces gjyqësor i mundshëm si rezultat i angazhimit të Kuvendit të Kosovës në miratimin e një Gjykate Speciale për të zbardhur deri në fund të gjitha pretendimet dhe akuzat lidhur me krimet në luftë, të mos deformohet duke u transformuar në një proces padrejtësie ndaj Kosovës, padrejtësie ndaj luftës Çlirimtare, padrejtësie ndaj autoriteteve të shtetit sovran të Kosovës”, tha Rama.

Rama tha se se “natyrisht që për fat të keq janë të pritshme keqinterpretimet qoftë mes nesh në mjedisin shqipfolës, qoftë edhe në mjedisin anglishtfolës të këtij qëndrimi duke ngatërruar pikërisht thelbin, pasi ky qëndrim nuk ka të bëjë në asnjë mënyrë me ndonjë përpjekje apo tundim për të nënvlerësuar, e lëre më pastaj për të penguar politikisht një proces të drejtë ligjor”.

“Por ka të bëjë me krejt të kundërtën, me diskretitimin publik të këtij procesi përmes një shpalljeje mediatike të panjohur në praktikën e mirë të drejtësisë të një fajësie të supozuar të Kreut të Shtetit të Kosovës dhe të ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës së bashku me të tjerë. Në këtë pikë nuk ks mundësi të bëhet asnjë kompromis në heshtje”, tha Rama.

Rama shtoi se “unë i kam parë dhe i kam ndjekur jo pa shqetësim deklaratat ndërkombëtare inkurajuese me demek për drejtësinë dhe deklaratat ku konsiderohet me demek një hap pozitiv ajo që të gjithë bota mbarë lexoi, por aty vetëm hap pozitiv nuk ka”.

“Ai është një hap shumë shqetësues që e kthen organin e specializuar të akuzës në një organ të paragjykuar detyrimisht dhe jo të respektuar”, tha Rama. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com