Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, deklaroi sot në Tiranë se së bashku me qeverinë e Shqipërisë do të punojnë zbatimin e tre projekteve strategjike.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama, kreu i qeverisë së Kosovës Hoti theksoi se “dëshiroj të përmend tri projekte madhore të natyrës strategjike, e para porti i Durrësit ku unë personalisht kam punuar me ish ministrin e Financave të atherëshëm që të kemi një pikë të përbashkët doganore, por tani të kemi një pikë doganore ku mallrat të hyjnë në pikën doganore të Kosovës”.
“Në fushën e energjisë ne kemi sisteme komplimentare energjetike, por duhet të kujdesemi që ta zgjidhim këtë problem duke konsideruar edhe ndërtimin e hidrocentralit në territorin e Shqipërisë për të furnizuar me energji elektrike Kosovën”, – tha Hoti.
Më tej Kryeministri Hoti u shpreh se “një tjetër projekt i madh është lidhja e kryeqyteteve me hekurudhë. E kemi ideuar kohë më parë , tani duhet të punojmë konkretisht me studimin e fizibilitetit dhe besoj se në vjeshtë të këtij viti mund të gjejmë fondet konkrete për të filluar realizimin e këtij projekti”.
Kryeministri Hoti duke falënderuar Ramën për vizitën në Prishtinë tha se “besojmë se kemi maturimin e nevojshëm institucional për tu përballur me ato situata, por kujdesi juaj për të ardhur në Prishtinë pas atyre zhvillimeve është shumë me vlerë”.
“Është bërë një praktikë e bashkëpunimit tonë të mbledhjeve të përbashkët të dy qeverive. Tani besoj se duhet të kalojmë në terma shumë praktikë të bashkëpunimit tonë të përditshëm. Ju i thatë me detaje bashkëpunimet që duhet të rregullojmë më tutje, në mbledhjen e ardhshme”, – tha Hoti./atsh