Loading...

Shqipëria zgjidhet në postin e zv/presidentit të sesionit të 75-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB

Shqipëria zgjidhet në postin e Zëvendëspresidentit për Sesionin e 75-të të Asamblesë së Përgjithshme në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Lajmin e bëri të ditur Ambasadorja e Shqipërisë në OKB, Besiana Kadare e cila u shpreh “krenare të njoftojmë se Shqipëria është zgjedhur Zëvendës Presidente e seancës së 75-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara”.

“Është një nder i veçantë të shërbejë si Zv/Presidente e këtij sesioni historik dhe mezi pres të punoj me Ambasadorin Volkan Bozkir, Presidentin e sapozgjedhur të Asamblesë së Përgjithshme nga Turqia”, tha Kadare.

“Është një privilegj i madh dhe një përgjegjësi e jashtëzakonshme për t’i shërbyer vendit tim në këtë post të rëndësishëm, me një shikueshmëri të madhe në arenën ndërkombëtare”, u shpreh ajo.

“Secili grup rajonal në Kombet e Bashkuara përfaqësohet me një Zëvendës President në Asamblenë e Përgjithshme. Shqipëria do të përfaqësojë Grupin e Europës Lindore (ku përfshihet Ballkani, Europa Lindore, Rusia, Ukraina, Bjellorusia, Azerbajxhani, Armenia etj.)

Meta: Mundësi shumë e mirë për përfaqësimin dinjitoz të vendit tonë

Presidenti Ilir Meta e ka vlerësuar caktimin e Shqipërisë për të mbajtur postin e Zëvendëspresidentit për Sesionin e 75-të të Asamblesë së Përgjithshme në Organizatën e Kombeve të Bashkuara si “një mundësi shumë e mirë për përfaqësimin dinjitoz të vendit tonë në këtë institucion tepër të rëndësishëm botëror”.

Ai i ka uruar “shumë suksese Ambasadores Besiana Kadare në ushtrimin e kësaj detyre dhe përgjegjësie të lartë”.

Ruçi: Zgjedhja e Kadaresë, një sukses kombëtar dhe politik

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, uroi sot Përfaqësuesen e Përhershme të Shqipërisë në OKB, Besiana Kadare, për zgjedhjen Zëvendëspresidente e Sesionit të 75-të të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

“Zgjedhja juaj si Përfaqësuese e Përhershme e Shqipërisë, në detyrën e lartë të Zëvendëspresidentes së Sesionit të 75-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së është një sukses kombëtar dhe politik. Uroj ta kryeni me sukses këtë mision dhe ta përdorni maksimalisht këtë mundësi për të lartësuar emrin, dinjitetin dhe kontributin e atdheut tonë në arenën ndërkombëtare”, shprehet Ruçi./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com